Lidhje

Beogradi kërcënon të ndërpresë bisedimet me Prishtinën


Kryeministri serb reagoi ndaj vendimit të Prishtinës për të ndaluar vizitat e zyrtarëve serb gjatë fushatës për zgjedhjet komunale në Kosovë, që fillon të enjten

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic tha sonte në Beograd se do të ndërpresë pjesëmarrjen në bisedimet me Kosovën, nëse Prishtina nuk lejon vizitat e zyrtarëve të Beogradit në Kosovë gjatë fushatës për zgjedhjet komunale.

Paralajmërimi i tij pasoi një vendim të qeverisë së Kosovës që zyrtarëve serbë t’iu ndalohet hyrja në Kosovë gjatë fushatës parazgjedhore, e cila fillon të enjten më 3 tetor. Kryeministrit serb i ishte refuzuar kërkesa që të premten të qëndrojë në komunën e Shtërpcës në Kosovën jugore, një komunë me shumicë serbe.

Kryeministri serb tha se ka paralajmëruar Brukselin dhe diplomatët euro perëndimorë se siç thuhet, vendimi i autoriteteve të Prishtinës është skandaloz dhe paraqet një goditje ndaj procesit të paqes. Ai u tha të mërkurën medieve në Beograd që nëse ai si nënshkrues i marrëveshjes së Brukselit dhe anëtarët e qeverisë që e kanë mbështetur dhe punojnë në zbatimin e saj, nuk mund të shkojnë në Kosovë për të ftuar serbët që të dalin në zgjedhje, atëherë cila është arsyeja e pjesëmarrjes së mëtejme në bisedime.

Ai tha se të enjten udhëheqësit e Serbisë do të diskutojnë për veprimet e mëtejme dhe do të kërkojnë qëndrimin e Bashkimit Evropian rreth kësaj çështjeje.

Në prill të këtij viti kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Dacic arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Marrëveshja parasheh edhe përfshirjen e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe në këto zgjedhje.

Nga mbi 100 subjekte politike të regjistruara për të marrë pjesë në këto votime, tetëmbëdhjetë janë nga radhët e komunitetit serb. Beogradi mbështetë Nismën Qytetare Serbe duke nxitur pakënaqësi tek një pjesë e subjekteve serbe në Kosovë.

Të enjten fillon fushata për zgjedhjet e tre nëntorit dhe në prag të saj, janë shtuar thirrjet për zgjedhje gjithëpërfshirëse, duke pasur parasysh se kjo është hera e parë që në zgjedhjet për pushtetin komunal do të përfshihen edhe komunat veriore të Kosovës, zonë kjo që ende është skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG