Lidhje

Të hënën takimi i radhës Kosovë – Serbi


Takimi i ri i kryeministrave të të dyja vendeve pason përplasjet ndërmjet palëve në fillim të fushatës për zgjedhjet komunale të tre nëntorit në Kosovë

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, do të takohen të hënën me shtatë tetor në Bruksel. Njoftimi u bë i ditur nga zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Në njoftimin e shkurtër thuhet se “qëllimi i takimit është shqyrtimi i përparimit në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit, në veçanti çështja e zgjedhjeve komunale të tre nëntorit në Kosovë”.


Më herët ishte thënë se takimet e radhës mund të priten pas përfundimit të zgjedhjeve. Njoftimi për takimin e së hënës pasoi kërcënimin e Beogradit se do të ndërpresë bisedimet me Kosovën, nëse Prishtina nuk lejon vizitat e zyrtarëve të Beogradit në Kosovë gjatë fushatës për zgjedhjet komunale.

Paralajmërimi i tij pasoi siç ishte thënë, një vendim të autoriteteve të Kosovës që zyrtarëve serbë t’iu ndalohet hyrja në Kosovë gjatë fushatës parazgjedhore, e cila fillon të enjten më 3 tetor. Kryeministri serb tha se i ishte refuzuar kërkesa që të premten të qëndrojë në komunën e Shtërpcës në Kosovën jugore, një komunë me shumicë serbe.

Një takim i paraparë për sot në kuadër të bisedimeve të grupeve punuese në Bruksel për çështjet e lëvizjes së lirë nuk është mbajtur, pasi që, siç është thënë, pala serbe e ka anuluar pjesëmarrjen.

Në prill të këtij viti kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Marrëveshja parasheh edhe përfshirjen e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe në këto zgjedhje.

Beogradi mbështetë Nismën Qytetare Serbe duke nxitur pakënaqësi tek një pjesë e subjekteve serbe në Kosovë.

Sot në Kosovë filloi fushata për zgjedhjet e tre nëntorit që do të zgjasë 30 ditë. Me fillimin e saj, janë shtuar edhe thirrjet për zgjedhje gjithëpërfshirëse, duke pasur parasysh se kjo është hera e parë që në zgjedhjet për pushtetin komunal do të përfshihen edhe komunat veriore të Kosovës.

Janë 103 subjekte politike të të gjitha komuniteteve që janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje në të cilat konkurrojnë rreth tetë mijë kandidatë për kryetar komunash dhe deputetë të Kuvendeve komunale.

Një koalicion organizatash joqeveritare ka përgatitur rreth një mijë e 500 vëzhgues të cilëve pritet t’u bashkohen edhe disa qindra vëzhgues nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për të siguruar shmangien e parregullsive që kishin ndjekur zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë.

Ato synojnë vëzhgimin e zgjedhjeve edhe në veriun e vendit ku organizimi dhe mbajtja e këtyre zgjedhjeve vesohet si sfida kryesore e procesit, për shkak të kundërshtimit të një pjese të përfaqësuesve politik serbë në zonë ndaj çdo përpjekjeje për përfshirjen e tyre në sistemin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG