Lidhje

Daçiç: Serbia nuk do të lërë kurrë veriun e Kosovës


Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, u bëri thirrje serbëve të veriut të Mitrovicës të fitojnë pushtetin komunal dhe të dëgjojnë Beogradin

Kryeministri serb Ivica Daçiç, tha sot se Serbia nuk do të lërë dhe nuk do të harrojë kurrë veriun e Kosovës, ndërsa serbët në atë zonë duhet të dëgjojnë Beogradin. Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në veriun e Mitrovicës ku mori pjesë në tubimin parazgjedhor të Nismës qytetare serbe, për t’u bërë thirrje atyre që të marrin pjesë në votimet e së dielës për pushtetin komunal.

Votimet në veri të këtij qyteti u dëmtuan nga incidentet e tre nëntorit, kur persona të maskuar ndërhynë dhe shkatërruan kutitë e votimit duke detyruar largimin e komisionit të zgjedhjeve, vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë dhe të përfaqësuesve të Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, që është përfshirë në lehtësimin e votimeve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Zyrtarët e Beogradit thanë se sulmuesit janë kryesisht pjesëtarë të organizatave djathtiste nga Serbia që kishin hyrë në Kosovë më tre nëntor për të ndihmuar grupet politike që kundërshtojnë përfshirjen e serbëve në institucionet e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi anulimin e zgjedhjeve në ato qendra dhe caktoi 17 nëntorin datë të rivotimeve për 23 mijë votues të regjistruar në zonë.

Kryeministri serb tha se serbët duhet të marrin pjesë në votime që të sigurojnë pushtetin e tyre dhe të mos ua lënë atë shqiptarëve.

Serbia nuk do ta lëshoj kurrë dhe nuk do ta harroj kurrë veriun e Kosovës. Ajo nuk do të lërë kurrë serbët e Kosovës, por as ju nuk duhet ta lini Serbinë”, tha ai duke u bërë thirrje qytetarëve serbë që të dëgjojnë shtetin serb.

Duke bërë thirrje që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës, ai përmendi përvojën e Republikës serbë të Krajinës, një entitet që ishte themeluar në Kroaci në fillim të luftës në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe që ishte shpërbërë me përfundimin e saj.

Udhëheqja e asaj republike bëri lojë me qytetarët e saj. Ku janë tani serbët e saj? Të zhvendosur, të dëbuar. Nuk guxojmë të përsërisim gabimet nga historia”, tha kryeministri serb, duke nënvizuar se Mitrovica e veriut do të jetë qendra e bashkësisë
së komunave serbe që do të krijohet pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë.

Krijimi i kësaj bashkësie është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që është arritur ne bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Sipas rezultateve të deritashme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe aktualisht është duke udhëhequr ose tashmë e ka fituar pushtetin komunal Nisma Qytetare serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Edhe Prishtina zyrtare, por edhe institucionet ndërkombëtare thanë se kanë hartuar plane për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve të së dielës në Mitrovicën veriore. Për këtë arsye, policia e Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe paqeruajtësit e NATO-s thanë sot nëpërmjet një komunikate të përbashkët se të dielën do të zbatohen masa të forta të sigurisë në veri.
XS
SM
MD
LG