Lidhje

Të mërkurën raundi i ri i bisedimeve Kosovë - Serbi


Zyra e shefes së politikes së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha të hënën se takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç, do të mbahet të mërkurën më 27 janar.

Në një njoftim të kësaj zyreje thuhet se në takimin që do të ndërmjetësohet nga zonja Mogherini, palët do të diskutojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash dhe rrugën përpara në bisedime.

Takimi i së mërkurës ndodhë pas marrëveshjes së arritur ndërmjet palëve më 25 gusht të vitit të kaluar për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që çoi në një krizë të rëndë politike në Kosovë.

Opozita bllokoi punën e parlamentit dhe u hodh në protesta edhe në rrugë për të kundërshtuar marrëveshjen që u jep më shumë autonomi serbëve në veriun e Kosovës.

Ajo i kërkon qeverisë dorëheqjen në dritën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila vlerësoi në dhjetor të vitit të kaluar se marrëveshja për asociacionin nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Qeveria i ka bërë thirrje opozitës për dialog politik ndërsa është zotuar se do të zbatojë në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese në procesin e mëtejmë të hartimit të dokumenteve mbi asociacionin.

Opozita ngulë këmbë për zgjedhje të parakohshme.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndërpriten më pas për shkak të zgjedhjeve të paralajmëruara të parakohshme parlamentare në Serbi, që pritet të mbahen në muajin prill.

Ato zgjedhje dhe situata aktuale në Kosovë, mund të zgjasin periudhën e "heshtjes" se bisedimeve.

Të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, bisedimet ndërmjet të dyja palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, i siguruan Kosovës, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që u nënshkrua në tetor të vitit të kaluar, ndërsa javën që lamë pas u miratua nga Parlamenti Evropian.

Ato i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, kapitujt e parë të të cilave u hapën me 14 tetor.

Synimi për integrime evropiane, bëri që Serbia të ulet në tryezën e bisedimeve ndonëse vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila më 17 shkurt shënon përvjetorin e tetë të saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG