Lidhje

Fule: Negociatat me BE-në varen nga bisedimet me Kosovën


Komisionari për zgjerim i BE-së, Stefan Füle, tha se data e negociatave për anëtarësimin e Serbisë varet nga përparimi në bisedimet me Kosovën.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Füle, tha sot në Beograd se data e fillimit të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, varet nga përparimi në bisedimet me Kosovën. Ai i bëri këto komente pas takimeve me udhëheqësit politik të Serbisë, gjatë vizitës që po zhvillon sot në Beograd.

E di se të gjithëve ju intereson të dinë nëse Serbia do të marrë datën e fillimit të negociatave në qershor. Përgjigja në këtë pyetje varet nga përpjekjet për përmbushjen e reformave dhe nëse do të ketë përparim të dukshëm dhe të qëndrueshëm në marrëdhëniet me Kosovën”, tha zoti Fule, i cili të martën do të qëndrojë në Prishtinë për të takuar udhëheqësit politik të Kosovës.

Vizita e tij ndodhë në prag të takimit të radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët të mërkurën në Bruksel, do të vazhdojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Prishtina dhe Beogradi thonë se po bëjnë përpjekje për afrimin e qëndrimeve, por ende nuk ka një marrëveshje për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen autoritetet e Prishtinës.

Prishtina thotë se pajtohet me krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, por hedh poshtë çdo mundësi që ai të ketë fuqi ekzekutive. Beogradi kërkon krijimin e bashkësisë së komunave serbe që nuk do të kishte autoritet ligjvënës, por do të kishte pushtet ekzekutiv.

Zyrtarët evropian thonë se bisedimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, meqë koha është e shkurtër.

Mesi i muajit prill është afati kur të dyja palët do të duhej të arrinin një marrëveshje kuadër për situatën në veri dhe nga kjo varet se kur do të marrë Serbia datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova atë të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.
XS
SM
MD
LG