Lidhje

Rompuy: Kosova – kushti kryesor për Serbinë në BE


Herman van Rompuy dhe Ivica Daçiç

Herman van Rompuy dhe Ivica Daçiç

Kryetari i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, tha se marrëdhëniet me Kosovën janë kushti kryesor për integrimin e Serbisë.


Kryetari i Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, tha sot se kushti kryesor për rrugëtimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian është përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën. Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin serb, Ivica Daçiç, i cili po qëndron në Bruksel për të takuar udhëheqësit më të lartë të Bashkimit Evropian.

Zoti Van Rompuy, tha se Kosova është kushti kryesor në procesin e integrimeve evropiane të Serbisë.

Përmirësimi i qëndrueshëm dhe i dukshëm i marrëdhënieve me Kosovën, mbetet kushti kryesore për hapin e ardhshëm në rrugën evropiane, përkatësisht për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Jemi të kënaqur që qeveria e Serbisë mori vendimin që mundëson pjesëmarrjen e frytshme dhe të gjerë në bashkëpunimet rajonale, por puna nuk përfundon këtu”, tha ai.

Zoti Rompuy, tha se “duhet te zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash në bisedimet Kosovë Serbi, posaçërisht marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të kufirit”, ndërsa nënvizoi se “duhet të gjenden zgjidhje të reja për situatën e ndjeshme në veri të Kosovës, zgjidhje të cilat do ta përmirësojnë jetën e njerëzve atje”. Ai u bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës, që në mënyrë konstruktive, të angazhohen në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.



Kryeministri serb, Ivica Daçiç tha se Beogradi është i gatshëm ta vazhdojë bisedimet me Prishtinën dhe të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash.

"Qeveria nuk vë në mëdyshje marrëveshjet e arritura më herët në bisedime. Siç e keni parë, ajo ka përgatitur një udhëzim që mundëson pjesëmarrjen në forumet rajonale. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet, jo vetëm për çështjet teknike por edhe ato politike dhe që niveli i tyre të jetë shumë i lartë”, tha kryeministri serb, i cili bëri thirrje që të mos shtohen kushtet e vendosura ndaj Serbisë në dhjetor të vitit të kaluar.

"Sigurisht që mundësitë për të marrë datën e fillimit të bisedimeve janë në duart tona. Ajo që ne i lusim partnerët tanë nga Bashkimi Evropian është që të mos ketë kushte shtesë dhe zgjerim të kërkesave të shtruara dhjetorin e kaluar”, tha ai.

Kryeministri serb, i cili po qëndron në Bruksel në vizitën e parë që kur mori këtë post, u kujdes që të shkojë atje me qëndrimin se nuk do të ketë pengesa në zbatimin e marrëveshjes për përfaqësimin rajonal të Kosovës.

Marrëveshja për këtë çështje, i kishte mundësuar Serbisë në pranverën e këtij viti që të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG