Lidhje

BE-ja hedh poshtë ndarjen e Kosovës


Komisionari për zgjerim i BE-së, Stefan Fule tha se integrimi i Serbisë varet nga përparimi i qëndrueshëm në marrëdhëniet me Kosovën


Bashkimi Evropian u ka transmetuar udhëheqësve të Serbisë qëndrimin se ndarja e Kosovës në vija etnike është e papranueshme. Ky qëndrim është ritheksuar në Beograd gjatë takimeve që ka zhvilluar me udhëheqësit e atjeshëm komisionari i Bashkimi Evropian për zgjerim, Stefan Fule.

Të mërkurën Komisioni Evropian publikoi raportin e progresit në të cilin veç tjerash i kërkohet Serbisë të respektojë tërësinë tokësore të Kosovës.

Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008, ndërsa edhe nga drejtues të lartë të saj janë hedhur ide për ndarjen e Kosovës.

Por, zoti Fule tha gjatë qëndrimit në Beograd se ndarja nuk është në rend dite dhe ajo është e papranueshme për Bashkimin Evropian. Ai tha se Serbia do të përparojë në synimet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian “duke ecur përpara në çështjen kryesore që është përparimi i dukshëm dhe i qëndrueshëm në marrëdhëniet me Kosovën”.

Çështja e këtij përparimi ka kushtëzuar edhe datën e fillimit të negociatave për anëtarësim të Serbisë.

Presidenti serb Tomislav Nikoliç, citohet të ketë thënë pas takimit me zotin Fule se vendi i tij nuk dëshiron të zvarris hyrjen në Bashkimin Evropian, por duhet të hiqet formulimi “tërësi tokësore e Kosovës” e përfshirë në raportin e Komisionit Evropian.

Ndërsa, kryeministri serb Ivica Dacic, tha se Beogradi është i gatshëm për bisedime politike e e teknike me Prishtinën, por nuk mund të pranojë kushte që nënkuptojnë njohje të pavarësisë së Kosovës. Të mërkurën ai tha se kërkesa për respektimin e tërësisë tokësore të Kosovës mund të rrezikojë vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën.

Por, komisionari Fule citohet të ketë thënë se kjo nuk paragjykon statusin e Kosovës dhe se Bashkimi Evropian qëndrimin kundër ndarjes së Kosovës e ka shprehur që në vitin 2005.

Zoti Fule do të qëndrojë sonte dhe të premten në Prishtinë për të takuar udhëheqësit e Kosovës, e cila një ditë më parë mori studimin e fizibilitetit për marrëveshjen e stabilizim asociimit me Bashkimin Evropian.

Komisioni Evropian vlerëson se nuk ka pengesa ligjore për realizimin e kësaj marrëveshjeje, por ka kushtëzuar fillimin negociatave për këtë proces me përmbushjen e disa kritereve, që kanë të bëjnë me fushat e sundimit të ligjit, administratës publike, mbrojtjes së pakicave kombëtare dhe tregtisë.

Komisioni Evropian vlerëson ndërkaq se situata në veriun e Kosovës mbetet një sfidë e rëndësishme për Kosovën, Ballkanin Perëndimor si dhe Bashkimin Evropian, ndërsa u bëhet thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa pozitiv për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Por, komisioni pohon se gjendja e tashme në atë zonë nuk është pengesë për negocimin e marrëveshjes.

Komisioni Evropian hapi studimin e fizibilitetit për Kosovën pak kohë pasi që Prishtina arriti marrëveshje me Beogradin për përfaqësimin rajonal, marrëveshje e cila Serbisë i mundësoi të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Komisionari Fule tha se qëllimi i Bashkimit Evropian është që Serbia dhe Kosova të ecin drejt integrimeve evropiane, pa e penguar njëra tjetrën.
XS
SM
MD
LG