Lidhje

Takimi mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiç


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, u takuan dje në Bruksel, në atë që shihet si hapje e rrugës për vazhdimin e bisedimeve.

Shefja për politikën e Jashtëme të Bashkimit Evropian, Kethrin Ashton u takua me Kryeministirn e Serbisë dhe të Kosovës në takimin e parë zyrtar mes dy udhëheqësve për uljen e tensionit të Ballkan.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dje në Bruksel pasuan takimet veças të zonjës Ashton me Kryeministrin Ivica Daçiç dhe me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi.
Ashton tha se takimi ishte pozitiv dhe konstruktiv me qëllimin për të përmirësuar jetën e popujve, duke i afruar kështu Kosovën dhe Serbinë më pranë Bashkimit Evropian. Zyrtarja e BE-së tha se ata do të takohen përsëri sëshpejti.

Kryeministri serb Daçiç u tha gazetarëve pas takimit se Beogradi është i gatshëm për bisedime dhe i predispozuar t’i diskutojë të gjitha çështjet.

Komisioni Evropian, dega ekzekutive e BE-së, ua bëri të qartë të dy palëve më herët këtë muajse ata duhet të dëshmojnë përmirësime të dukëshme dhe të qendrueshme në marrëdhëniet e tyre me qëllim që të arrijnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.


Në një komunikatë për opinion, shefja e politikës së jashtme tha se “takimi është zhvilluar në atmosferë të mirë e konstruktive. Jemi pajtuar për vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve dhe të dy janë zotuar për të punuar së bashku. Ne do të takohemi sërish së shpejti. Besoj fuqishëm se bisedimet janë në interes të të dyja palëve. Synimi i tyre është përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe zgjidhja e problemeve dhe duke e bërë këtë, Serbia dhe Kosova afrohen më shumë me Bashkimin Evropian”, thuhet ne deklaratën e zonjës Ashton.

Të dy kryeministrat shkuan në Bruksel me mbështetje nga vendet e tyre. Kryeministri serb më vendimin e qeverisë së tij për vazhdim bisedimesh, ndërsa kryeministri i Kosovës me një rezolutë të miratuar në Parlament për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një komunikatë për opinion të zyrës së kryeministrit të Kosovës Hashim Thaci, thuhet se “takimi u zhvillua me qëllim të vazhdimit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Të gjitha palët në takim janë pajtuar dhe kanë shprehur përkushtimin që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të vazhdoj. Takimi në mes të kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Daçiç me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton është një kapitull i ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane. Me këtë rast kryeministri Thaçi theksoi se“ky proces, patjetër që do e përshpejtoj integrimin e dy shteteve në BE dhe do të jetë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në komunikatë

Ndërsa, kryeministri serb, Ivica Daçiç, u tha mjeteve serbe te informimit se temë e bisedës ishte “arritja e ujdisë për dialogun” dhe paralajmëroi se në muajin nëntor do të mbahet takimi i ardhshëm, kurse deri atëherë udhëheqja serbe do ta ketë gati edhe platformën për administrimin e dialogut, ku do të jenë ta hapura të gjitha temat – nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tash, telekomi, energjetika e deri te çështjet politike.

Mendoj se është koha për marrëveshje historike, ndërsa jemi të gatshëm edhe për bisedime rreth statusit final. I kam thënë Thaçit se Kosova, aq sa është e tija, është edhe e imja, sepse unë jam lindur në Kosovë”, tha kryeministri Daçiç.

Reagime rreth takimit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se takimi i sotëm “është një hap para në vendosjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon”. Në një deklaratë të transmetuar nga zëdhënësi i saj Arbër Vllahiu, thuhet se, “ky takim shënon një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe një rrugë përpara në arritjen e marrëveshjeve për një të ardhme më të mirë për vendet tona, që kanë pasur një të kaluar të vështirë. Fqinjësia e mirë është një prej kritereve në rrugën e integrimeve evropiane”.

Ndërkohë nëpërmjet një komunikate për opinion, ambasadat e Francës, Italisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, e mirëpresin takimin e parë në mes Kryeministrit të Kosovës dhe Kryeministrit të Serbisë, nën kryesimin e Baroneshës Ashton, ku u zotuan se do të punojnë së bashku për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy palëve.

Kundër takimit reagoi lëvizja Vetëvendosje e cila theksoi se “sot, në Bruksel, ndodhi takimi i mezi pritur mes kryeministrit Thaçi dhe Daçiçit, trashëgimtarit politik të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç.

Sipas Vetëvendosjes, “Bashkimi Evropian po ia shtron Serbisë rrugën e përshpejtuar të integrimeve nëpërmjet Qeverisë sonë të shantazhuar e të korruptuar. Serbia po e kontrollon skenën tonë politike nëpërmjet kërkesave të saj të forta ndaj Brukselit, të cilat Brukseli, në formë të tërthortë, po i kthen kah Prishtina. Dhe, për të mbetur në pushtet, e për të mos i nxjerrë problem ndërkombëtarët, e kemi kryeministrin Thaçi – i gatshëm të pranojë gjithçka pa asnjë kusht për Serbinë. Ky konstelacion i BE-së me Serbinë hegjemoniste dhe me Qeverinë tonë të kontrolluar e përplot dosje në sirtarët e huaja – e rrezikon esencën e interesit tonë kombëtar dhe krijon probleme të thella e me pasoja afatgjate”.

Kjo lëvizje kundërshtoi te enjten miratimin e rezolutës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kushtëzimeve që u janë bërë të dyja vendeve për përfshirjen në procesin e integrimeve evropiane. Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Të dyja palët janë shprehur të gatshme të bisedojnë qoftë për çështje teknike qoftë për ato politike. Por, Serbia ngulë këmbë se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa Prishtina hedh poshtë çdo mundësi të diskutimit për rregullimin e saj kushtetues e juridik.

Bashkimi Evropian nuk e ka vënë njohjen e pavarësisë si kusht për Serbinë, por në raportin e progresit ka kërkuar që ajo të respektojë tërësinë tokësore të Kosovës. Nga Prishtina është kërkuar ndërkaq, një qasje gjithëpërfshirëse në zgjidhjen e problemeve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.
XS
SM
MD
LG