Lidhje

BE-ja shton trysninë mbi Prishtinën dhe Beogradin


Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, sonte fillon një javë përpjekjesh për të nxitur Prishtinën dhe Beogradin të merren vesh për veriun e Kosovës

Udhëheqësit më të lartë të Serbisë ndodhen në Bruksel për takime me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe ndërmjetësuesen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Catherine Ashton, për të diskutuar vazhdimin e këtyre bisedimeve.


Ato kanë ngecur në debatet për mënyrën e administrimit të veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Prishtina zyrtare është pajtuar që atje të ketë një asociacion të komunave, por ka refuzuar çdo mundësi që ai të ketë pushtet ekzekutiv.

Beogradi ngulë këmbë në krijimin e bashkësisë së komunave serbe që do të kishin fuqi ligjvënëse dhe ekzekutive.
Tomislav Nikoliç, president i Serbisë

Tomislav Nikoliç, president i Serbisë


Para nisjes, për në Bruksel, presidenti i Serbisë, Tomilsav Nikoliç, tha se atje pret një dokument, projektin e të cilit pohon se e ka parë dhe i cili tash për tash është i papranueshëm për Serbinë.

Ai është projekti që parasheh të drejtat e bashkësisë serbe në kuadër të administratës së Prishtinës dhe se ato janë të drejta të cilat parashikohen me ligjet për vetë-administrim lokal dhe akte të tjera”, tha presidenti serb, duke nënvizuar që nëse nuk do të ketë ndryshime në atë letër, atëherë ajo është e papranueshme.

Ai tha se “Serbia e njeh Kosovën si një pjesë specifike në krahasim me pjesët tjera të Serbisë dhe pranon ato që ka arritur ajo me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe se ka kushtetutë, ligje, president, qeveri dhe parlament, por në atë territor që Serbia nuk do ta njoh kurrë si vend të pavarur ekziston një bashkësi e madhe serbe që duhet të ruhet dhe ata duhet të kenë të njëjtat të drejta sikurse edhe shqiptarët”.

Udhëheqësit serb thanë se janë të vetëdijshëm se do të ketë trysni mbi ta për situatën në veriun e Kosovës, që është kusht për Serbinë që të marrë datën e filimit të negociatave për anëtarësim në Bahskimin Evropian. Por, ata thanë se për hir të të kësja date, Serbia nuk do të heqë dorë nga politika e saj.

Të enjten, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, pritet te qëndrojë në Prishtinë për të takuar udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës, përfshirë edhe opozitën. Vëzhguesit thonë se ajo do të ushtrojë trysni mbi të dyja palët për të përshpejtuar procesin e bisedimeve që do të vazhdojnë më 20 mars.

Në Prishtinë kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi tha se vizitat e tilla nuk duhet parë në këtë prizëm.
Jakup Krasniqi, Kryetar i Parlamentit të Kosovës

Jakup Krasniqi, Kryetar i Parlamentit të Kosovës


Unë konsideroj që ardhja e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian apo cilitdo vend tjetër në Kosovë, nuk duhet të shihet si presion. Duhet të shohim si vizitë në shërbim të proceseve dhe në cilat kalon Kosova. Është çështje tjetër që drejtuesit e Kosovës si e kuptojnë atë, si ndihmë apo si proces”, tha zoti Krasniqi.

Ndërkaq, analisti Ardian Arifaj, thotë se trysnia është e pashmangshme, meqë vet bisedimet janë të imponuara ndaj të dyja palëve, që nuk ishin të gatshme për procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Ai thotë se Prishtina duhet të jetë e kujdesshme për të mos prekur vijat e saj të kuqe të përcaktuara me kushtetutën dhe ligjet e saj përfshirë edhe qëndrimin se nuk guxon të preket rregullimi i brendshëm kushtetues i Kosovës.

Ardian Arifaj, Analist politik

Ardian Arifaj, Analist politik

Kjo është ajo që po kërkon Beogradi, që të krijohet një asociacion i komunave serbe, përtej asaj që e lejojnë ligjet në fuqi në Kosovë. Pra, një asociacion me pushtet ekzekutiv i cili mandej, nëse mundet dhe mund të presim që mund të jetë nën tutelën e Beogradit do të vazhdojë ta shantazhojë Kosovën. Pra nuk ka garanci që nuk do të shpjerë drejt një bosnjëzimi të Kosovës. Prandaj është shumë me rëndësi që Kosova, por në këtë rast edhe bashkësia ndërkombëtare të jenë të vëmendshëm që të mos lejojnë t’i hapet derë një projekti të tillë, sepse nuk është në interes të Kosovës, por as në interes të bashkësisë ndërkombëtare, pasi që nuk do të sjellë një stabilitet afatgjatë, por përkundrazi, një destabilizim të vazhdueshëm të përhershëm të Kosovës, që do të kërkojë një angazhim të përhershëm të bashkësisë ndërkombëtare”, ta zoti Arifaj

Zyrtarët evropian thonë se bisedimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, meqë koha është e shkurtër.

Mesi i muajit prill është afati kur të dyja palët do të duhej të arrinin një marrëveshje kuadër për situatën në veri dhe nga kjo varet se kur do të marrë Serbia datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova atë të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG