Lidhje

Përfundon takimi i C. Ashton me udhëheqësit serb


Presidenti serb Tomislav Nikoliç thotë se marrëveshja për veriun e Kosovës mund të nënshkruhet brenda muajit mars.


Në Bruksel, përfundoi takimi mese dy orësh ndërmjet shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton me udhëheqësit më të lartë të Serbisë.

Zonja Ashton e cila ndërmjetëson bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, tha se me zyrtarët serb është diskutuar përparimi i deritashëm në bisedime, në veçanti mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe nevojën për të diskutuar çështjet e hapura, posaçërisht veriun e Kosovës, në dritën e takimit të radhës që mbahet më 20 mars.

Në takimin e sotëm nënvizova rëndësinë e arritjes së marrëveshjeve mbi çështjet e hapura ndërmjet të dyja palëve sa më parë që është e mundur”, thuhet në komunikatën e zonjës Ashton.

Ndërkaq, presidenti serb Tomislav Nikoliç, u tha gazetarëve se “Prishtina ka lëshuar pe mbi përgjegjësitë e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë”, ndërsa shfaqi shpresën se marrëveshja me Prishtinën mund të nënshkruhet në ditët e ardhshme.

"Prishtina që deri tash këmbëngulte që zgjidhja të jetë në kuadër të ligjeve të saj, ka lëshuar pe. Marrëveshja do të nënshkruhet nëse jo më 20 mars atëherë më 28 mars”, tha presidenti serb Tomislav Nikoliç, i cili në takim ishte bashkë me kryeministrin serb Ivica Daçiç dhe zëvendëskryeministrin Aleksandër Vuçiç.

Prishtina zyrtare është pajtuar që në veriun e Kosovës të ketë një asociacion të komunave por ka refuzuar çdo mundësi që ai të ketë pushtet ekzekutiv. Beogradi ngulë këmbë në krijimin e bashkësisë së komunave serbe që do të kishin fuqi ligjvënëse dhe ekzekutive.

Të enjten shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catrherine Ashton pritet te qëndrojë në Prishtinë për të takuar udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës, përfshirë edhe opozitën. Vëzhguesit thonë se ajo do të ushtrojë trysni mbi të dyja palët për të përshpejtuar procesin e bisedimeve që do të vazhdojnë më 20 mars.

Zyrtarët evropian thonë se bisedimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, meqë koha është e shkurtër.

Mesi i muajit prill është afati kur të dyja palët do të duhej të arrinin një marrëveshje kuadër për situatën në veri dhe nga kjo varet se kur do të marrë Serbia datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova atë të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG