Lidhje

Prishtina dhe Beogradi më afër marrëveshjeve?


Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë biseduan sot me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, në kërkim të një marrëveshjeje për veriun e Kosovës

Prishtina dhe Beogradi janë shprehur sot optimist për arritjen e marrëveshjeve, që do të çonin në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, ndonëse ende kanë qëndrime të ndara sa i përket veriut të Kosovës.

Komentet e tyre pasuan takimet me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila qëndroi sot në Prishtinë dhe Beograd.
Takimet shihen si shtim i trysnisë mbi të dyja palët për një marrëveshje mbi mënyrën e administrimit të veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Zonja Ashton takoi në Prishtinë presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi, ndërsa në një takim të përbashkët edhe një pjesë të përfaqësuesve të partive politike, përveç lëvizjes Vetëvendosje e cila kundërshton bisedimet me Serbinë.

Në një komunikatë për opinion të zonjës Ashton thuhet se në takimet në Prishtinë është vlerësuar përparimi në bisedimet e deritashme, ndërsa është diskutuar në veçanti mbi zbatimin e marrëveshjeve të deritashme dhe nevojën e arritjes së marrëveshjeve për çështje të hapura, posaçërisht të veriut të Kosovës sa më parë që është e mundur.

Kryeministri, Hashim Thaçi, tha se Prishtina dhe Beogradi ndodhen në fazën e fillimit të fundit për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve si dhe të normalizimit të plotë të gjendjes në veriun e Kosovës.

Presim që edhe Beogradi të jetë më pragmatik në qasjen e vet, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me shtetin e Kosovës, sepse ky proces është i pakthyeshëm, do të ndodh, Serbia duhet ta njeh realitetin e Kosovës. Është edhe fillimi i njohjes de jure për Republikën e Kosovës nga Serbia, ndërsa ne duhet të fokusohemi në kuadër të kompetencave, Kushtetutës, Ligjeve të Kosovës, që t’iu mundësojmë jetë më të mirë, më të sigurt, qytetarëve tanë në veri, që të ndodhin edhe investime socio-ekonomike, të ndryshojmë jetën e tyre për të mirë, të integrohen në jetën institucionale dhe shoqërore, edhe në nivelin lokal edhe në nivelin qendror. Mbes me shpresë dhe optimizëm se diçka e tillë do të ndodhë”, tha kryeministri Thaçi.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se marrëveshjet nuk janë larg, ndërsa mohoi të ketë trysni për të pranuar ndonjë zgjidhje që del jashtë dokumenteve në fuqi në Kosovë.

Jo deri tash jo. Ka pas definicione të ndryshme për tema të ndryshme, por edhe delegacioni i Kosovës, dhe të gjithë ne, po bëjmë përpjekje që për çdo temë që është e nevojshme me gjet zgjidhje, me gjet zgjidhje adekuate, por që mbesin ose që janë në kuadër të planit Ahtisaari,” shpjegoi Haradinaj.

Optimist për marrëveshje është shprehur edhe presidenti serb Tomislav Nikoliç, pas takimit ne Beograd me zonjën Ashton.

Catherine Ashton takon udhëheqësit e Serbisë

Catherine Ashton takon udhëheqësit e Serbisë

Asnjëherë nuk kemi qenë më afër marrëveshjes që do të rregullonte jetën në Kosovë dhe që do t’u mundësonte atyre që jetojnë atje të jenë të sigurt dhe serbët të jetojnë në kuadër të bashkësisë së tyre dhe te mbeten të lidhur me Serbinë”, tha presidenti serb, ndërsa, kryeministri Ivica Dacic tha se marrëveshjet janë sa afër aq edhe larg.

Në duam kompromis, por nuk do të pranojmë përulje” tha kryeministri serb, duke nënvizuar se bashkësia e komunave serbe duhet të ketë përgjegjësi ekzekutive, një kërkesë që është hedhur poshtë nga Prishtina.

Kryeministrat e të dyja vendeve do të takohen në Bruksel më 20 mars për të vazhduar bisedimet. Zyrtarët evropian thonë se bisedimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, meqë koha është e shkurtër.

Mesi i muajit prill është afati kur të dyja palët do të duhej të arrinin një marrëveshje kuadër për situatën në veri dhe nga kjo varet se kur do të marrë Serbia datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova atë të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.
XS
SM
MD
LG