Lidhje

BE mirëpret miratimin e planit mbi marrëveshjen Kosovë – Serbi


Qeveria e Kosovës miratoi të premten, ndërsa ajo e Serbisë të dielën, planin për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, ka mirëpritur miratimin e planit të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, nga qeveritë e të dyja vendeve.

Qeveria e Kosovës miratoi të premten, ndërsa ajo e Serbisë në mbrëmjen e së dielës, planin për zbatimin e marrëveshjes, rreth të cilit ishin pajtuar më 22 maj kryeministrat e të dyja vendeve, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

Zonja Ashton e cila është ndërmjetësuese e bisedimeve përgëzoi të dy kryeministrat duke shfaqur besimin se “plani i zbatimit do të sigurojë përparim të shpejtë edhe të Serbisë edhe të Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ai paraqet një hap tjetër përpara në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe nuk paragjykon pozicionet e të dy palëve kundruall statusit të Kosovës”, thuhet në një deklaratë të zonjës Ashton.

Sipas planit, zbatimi i marrëveshjes përfshinë disa elemente themelore siç janë, rregullimi i kuadrit ligjor të të dyja palëve, rrugët e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë, çështjet e policisë e gjyqësisë dhe zgjedhjet për pushtetin lokal. Sipas planit tërë marrëveshja duhet të zbatohet brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Marrëveshja rreth së cilës janë dakorduar të dy kryeministrat me 19 prill, u siguron serbëve në veri të Kosovës një shkallë të lartë të autonomisë.

Marrëveshja është mbështetur nga diplomacia euro perëndimore e cila e sheh atë si një hap të të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Komisioni Evropian miratoi propozimin që Serbisë t’i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës ajo e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Por, vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për këtë çështje që do të merret në fund të muajit qershor, varet nga zbatimi i marrëveshjes në terren.
XS
SM
MD
LG