Lidhje

Nesër takimi i ri Kosovë – Serbi


Në takimin e radhës do të diskutohen edhe incidentet gjatë zgjedhjeve në veri. Ato u dënuan ashpër nga ndërmjetësuesja e bisedimeve Catherine Ashton

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, do të takohen nesër në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.


Takimi i konfirmua nga zonja Ashton e cila tha se do të diskutohen hapat e ardhshëm në procesin zgjedhor në Kosovë si dhe ne zbatimin e marrëveshjes së muajit prill për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Ajo i vlerësoi zgjedhjet e së dielës në Kosovë për pushtetin komunal si thelbësore për të ardhmen e Kosovës, ndërsa dënoi ashpër incidentet e dhunshme në veriun e Mitrovicës.

Të gjithë votuesit kanë të drejtë pjesëmarrjeje në zgjedhje në një mjedis të sigurt dhe pa dhunë. Incidentet duhet të hetohen pa vonesë” thuhet në një deklaratë të zonëjs Ashton.

Kjo çështje pritet të jetë edhe një nga temat kryesore të bisedimeve të nesërme. Votimet në veriun e Mitrovicës u dëmtuan nga incidentet e së dielës mbrëma, kur persona të maskuar ndërhynë dhe shkatërruan kutitë e votimit në disa vendvotime në veri të Mitrovicës, duke detyruar largimin e komisionit të zgjedhjeve dhe të përfaqësuesve të Misionit të OSBE-së.

Materiali zgjedhor nga këto qendra, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjendet në Prishtinë, por ende është e paqartë se deri në ç’masë është i dëmtuar.

Sot, komisioni duhet të shqyrtoje situatën para se të vendosë nëse votimet në veri janë të vlefshme, nëse do të ketë votim të pjesshëm apo do të ketë zgjedhje tërësisht të reja në veriun e Mitrovicës.

Mediet serbe citojnë kryeministrin e Serbisë, Ivis Daçiç të ketë thënë se temë e bisedimeve do të jetë edhe “shpallja e pavlefshme e zgjedhjeve në veri të Kosovës, si dhe në të gjitha vendet, ku serbët e kishin të pamundur të votojnë dhe ishin të frikësuar”.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se “me përjashtim të incidentit të izoluar, i tërë procesi ka qenë legal, i pranueshëm, i vlefshëm dhe me standarde ndërkombëtare”, ndërsa paralajmëroi se grupet që kanë shkaktuar incidentet në veri do të përballen me drejtësinë vendase dhe atë ndërkombëtare.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë ai tha se “pjesëmarrja e serbëve në veri definitivisht e ka legjitimuar marrëveshjen e Brukselit për një Kosovë unike, për një Kosovë të re, për një Kosovë si atdhe i gjithë qytetarëve të saj, me përfaqësim në institucionet qendrore dhe lokale”.

Përfshirja e komunave veriorë në zgjedhjet komunale për herë të parë, ishte pjesë e marrëveshjes së prillit sipas së cilës, pas zgjedhjeve do të krijohet bashkësia e komunave serbe me një shkallë të gjerë autonomie.

Në bazë të rezultateve paraprake ku ende nuk janë përfshirë votat nga komunat veriore dhe as votat e hedhura me kusht, 24 nga 38 komunat e vendit do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarët e tyre. Ndërkaq në dhjetë komuna të Kosovës, kryetarët janë zgjedhur që në raundin e parë të votimeve.
XS
SM
MD
LG