Lidhje

Serbia: Do të hakmerremi nëse Franca nuk dorëzon Haradinajn


Serbia tha se do të injorojë në të ardhmen çfarëdo kërkese për ekstradim nga Franca dhe vendet tjera evropiane, nëse drejtësia franceze nuk e dorëzon ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Serbia: Do te hakmerremi nese Franca nuk dorezon Haradinajn
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Qeveria serbe u mblodh të premten në një takim emergjent pas vendimit të gjykatës së apelit në Colmar të Francës lindore për të liruar me kusht ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, që u ndalua në fillim të janarit në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe.

Zoti Haradinaj do të pres në Francë deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës së Serbisë për ekstradimin e tij. Serbia e akuzon zotin Haradinaj për krime lufte gjatë kohës kur ai ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare që luftonte kundër forcave serbe.

Lirimi i tij me kusht nxiti reagimin e Beogradit. Presidenti serb Tomislav Nikoliç, tha se ky është rezultat i trysnisë së vendeve të Bashkimit Evropian.

Qeveria e Serbisë kërkoi të premten siç tha ekstradimin e menjëhershëm të zotit Haradinaj, ndërsa u kërcënua se do të hakmerret jo vetëm ndaj Francës por edhe të gjitha vendeve tjera që injorojnë urdhër arrestet serbe.

Autoritetet serbe thanë se u kanë dorëzuar organeve franceze edhe prova të reja kundër zotit Haradinaj dhe në aktakuzën e zgjeruar nga prokuroria serbe, janë përfshirë edhe 30 dëshmitarë.

Zoti Haradinaj tha të enjten në gjykatën e apelit në Francë se akuzat serbe janë plotësisht politike, ndërsa procesin e vlerësoi si abuzim me ligjin.

Institucionet dhe partitë politike në Kosovë thanë se lirimi i tij me kusht është i pamjaftueshëm dhe se autoritetet franceze të drejtësisë duhet të përmbyllin sa më parë rastin ndaj tij. Zoti Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga akuzat për krime lufte në Gjykatë Ndërkombëtare në Hagë.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

Ndalimi i tij në bazë të urdhër arrestit serb ka shtuar tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu të vështira ndërmjet Kosovës e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe Serbisë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj, megjithëse është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG