Lidhje

Qindra të ndaluar në kufirin Serbi – Hungari


Policia kufitare serbe ka ndaluar 290 qytetarë të Kosovës që po përpiqeshin të kalonin nga Serbia në Hungari. Në Kosovë autoritetet thonë se po përpiqen të zbusin shkaqet e migrimeve.

Autoritetet në Serbi thanë se gjatë 48 orëve të fundit kanë ndaluar 290 persona që po përpiqeshin të kalonin në rrugë ta paligjshme kufirin e Serbisë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ministri i brendshëm i Serbisë Nebojsha Stefanoviç, tha të premten në Beograd se “ditëve të fundit është një numër alarmant i atyre që duan të kalojnë në territorin e Hungarisë. Ai tha se ndaj 256 personave janë ngritur padi për kundërvajtje, ndërsa kundër 15 trafikantëve janë ngritur kallëzime penale”.

Autoritetet hungareze thonë se ditëve të fundit është rritur shumë numri i atyre që hyjnë në Hungari nga Serbia dhe se ndalimi i tyre është punë e vështirë për shkak të vijës kufitare 100 kilometërshe ndërmjet të dyja vendeve.

Në Kosovë, autoritetet thanë se në natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes kanë kthyer mbrapsht 6 autobusë që po lëviznin në linjën Prishtinë – Beograd, për shkak se siç është thënë “nuk i kanë përmbushur kushtet e operimit dhe nuk kanë pasur leje për kalim kufitar, një leje që merret në Ministrinë e Infrastrukturës”.

Qindra qytetarë të Kosovës përpiqen çdo natë të sigurojnë një vend në një nga autobusët që udhëtojnë për në Serbi, prej nga pastaj në rrugë të paligjshme synojnë një jete më të mirë në vende të Evropës Perëndimore. Lëvizjet e tilla për shumëkënd janë shenjë e pakënaqësive në rritje me udhëheqjen politike të shtetit më të ri e më të varfër të Evropës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha sot gjatë një vizite në qytezën e Vushtrrisë rreth 30 kilometra larg Prishtinës se është e vetëdijshme që Kosova nuk është shteti të cilin kanë dëshiruar ta kenë të gjithë 15 vjet pas përfundimit të luftës, por zgjidhja nuk është tek ikja e qytetarëve.

Kjo komunë vlerësohet se është ndër më të goditurat nga ikja e qytetarëve.

Ne e dimë se procesi i shtetndërtimit nuk është një proces i lehtë, është një barrë e madhe e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve tanë. Por, është kjo gjenerata jonë, e cila ka barrën më të madhe. Javën e ardhshme bëhen shtatë vite të pavarësisë së Kosovës, të procesit të shtetndërtimit të shtetit tonë. Këtë duhet ta bëjmë bashkërisht, institucionet dhe qytetarët e vendit tonë”, tha presidentja Jahjaga.

Qeveria e Kosovës - falë borxhet e qytetarëve ndaj shtetit

Në një përpjekje për zbutjen e pakënaqësive, qeveria e Kosovës tha se ka themeluar një komision për shqyrtimin e mundësisë për faljen e borxheve të personave fizik dhe juridik, ndaj institucioneve shtetërore dhe ndaj ndërmarrjeve publike në Kosovë, që nga përfundimi i luftës e deri më 31 dhjetor të vitit 2008.

Ministri i financave në qeverinë e Kosovës, Abdullah Hoti tha se viti 2008 “është vit i ndryshimeve të mëdha kapitale që kanë ndodhur në Republikën e Kosovës, është shpallja e pavarësisë, kushtetuta që është aprovuar në vitin 2008, kanë përfunduar ligjet e UNMIK-ut dhe kanë filluar të funksionojnë ligjet e Republikës së Kosovës. Ne po e shohim që është e nevojshme që të kemi një fillim të ri tani edhe me qeverinë e re, por të kemi edhe një shkëputje edhe prej të kaluarës, dhe të merremi edhe me të ardhmen”.

Ende është e paqartë se cila është shuma e borxheve të qytetarëve në një vend ku me vite ka pasur ankesa për mospagesë të faturave të energjisë, shërbimeve të ujësjellësit dhe mbledhjes së mbeturinave si dhe doganave e tatimit në pronë.

Qeveria e re e cila ende nuk ka mbushur dy muaj, po përballet me valë pakënaqësish të cilat përshkuan edhe protestat e muajit janar që kishin të bënin me një ministër serb që mohoi krimet e luftës në Kosovë dhe sqarimin e fatit të kompleksit të minierave Trepça, një kompleks rreth pasurive të të cilit pretendime ka ngritur edhe Beogradi.

Vëzhguesit pohojnë se këto dy kërkesa që u hodhën në protestat të cilat u shndërruan në dhunën më të rëndë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ishin vetëm preteksti për reagime ndaj gjendjes së përgjithshme në Kosovë që përshkohet me gjendje të rëndë ekonomike, shkallë të lartë të papunësisë e rrjedhimisht edhe varfërisë.

XS
SM
MD
LG