Lidhje

Interpoli kërkon 17 serbë të dyshuar për krime lufte në Kosovë


Autoritetet serbe reaguan pas njoftimeve se në policinë ndërkombëtare janë ngritur urdhër arreste për 17 të dyshuar për krime lufte, në mesin e tyre një deputet serb

Autoritetet serbe thanë se nuk e njohin autoritetin e gjykatave të Kosovës. Komentet e tyre pasuan njoftimet se një gjykatë në Gjakovë, në Kosovën perëndimore, ka shpallur një urdhër arresti për ish gjeneralin serb Momir Stojanoviç dhe 16 serbë të tjerë, nën akuzat për krime lufte.

Urdhër arresti tashmë është në faqen e policisë ndërkombëtare (Interpol), ku është vendosur me kërkesën e një prokurori ndërkombëtar të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Urdhër arresti pasoi një periudhë hetimesh pesë vjeçare, që lidhen me kohën kur Momir Stojanoviç ishte pjesë e korpusit të dikurshëm të Ushtrisë Jugosllave në Prishtinë.

Ai dhe 16 persona të tjerë dyshohen për përfshirje në masakrën e fshatit Mejë të komunës së Gjakovës më 27 prill të vitit 1999, kur ishin vrarë afro 400 shqiptarë. Trupat e shumicës prej tyre ishin fshehur për një kohë në një varrezë masive në Serbi.

Në të njëjtin urdhër arrest janë edhe Nikola Miçunoviç, Zoran Mirkoviç, Momçilo Stijoviç, Momçilo, Milutin dhe Miladin Novakoviç, Dragan e Aleksandër Pekoviç, Zhivko Vuksanoviç, Mirash Gegoviç, Predrag Stojanoviç, Muharrem Ibraj, Misho Popoviç, Dimitrije Rashoviç, Sreten Camoviç dhe Llazar Drashkoviç.

Në bazë të këtij urdhër arresti ditë më parë Podgoricë, kryeqyteti i Malit të Zi, është arrestuar Mirash Gegoviç, i cili ndodhet në paraburgim.

Momir Stojanoviç aktualisht është deputet i Partisë Përparimtare të Serbisë, që udhëhiqet nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryetar i komisionit parlamentar për çështje të sigurisë.

Ai u tha medieve serbe se urdhër arresti ndaj tij është trysni politike ndërsa pret mbështetjen e shtetit serb.

Këto urdhër arreste kanë funksion të dyfishtë: kjo është në njëfarë mënyre përgjigje e institucioneve të përkohshme të Kosovës ndaj vendimit të Kombeve të Bashkuara për formimin e gjykatës për krimet që kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, ndërsa në anën tjetër nëpërmjet tyre të pengohet kthimi i serbëve në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa, ministri në qeverinë e Serbisë Aleksandër Vulin, tha se Serbia nuk njeh kurrfarë gjyqi në Gjakovë, ndërsa sipas tij, koha dhe vendi i shpalljes së fletë arrestit si dhe zgjedhja e njerëzve “nuk është e rastësishme”.

Qeveria në Prishtinë në këtë mënyrë dëshiron t’i shmanget marrëveshjes së Brukselit. Që nga fjalët e Hashim Thaçit se Kosova do të nisë një aktakuzë për gjenocid e deri te gjoja fletë arrestet për krime lufte për deputetë serbë e gjeneralë, janë mënyra që të frikësohen serbët për t’u kthyer dhe t’u thuhet se këtë nuk mund ta bëjnë”, citohet të ketë thënë ministri serb.

Autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë nuk e kanë komentuar ngritjen e urdhër arrestit, ndërsa veprimtarët humanitar thonë se ndonëse është e vështirë të besohet se Serbia do të dorëzojë të kërkuarit, fakti që urdhri është ngritur nga policia ndërkombëtare, shton shpresat për vënien e drejtësisë.

Kosova doli nga lufta Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

XS
SM
MD
LG