Lidhje

Kosova akuzon Serbinë


Institucionet dhe partitë politike në Kosovë, reaguan ndaj njoftimeve se një gjykatë serbe ka dënuar në mungesë tetë ish oficerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata serbe i shpalli fajtorë ata duke i dënuar me nga 15 vjet heqje lirie për dy aksione ushtarake gjatë shtatorit të vitit 1998 në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Të dënuarit janë Sheqeri Maloku, Xhafer Gashi, Demush Gacaferi, Demë Maloku, Agron Isufi, Anton Çuni, Rabit Alija dhe Rrustem Berisha.

Në mesin e tyre janë deputetët e parlamentit të Kosovës, Anton Çuni dhe Rrustem Berisha.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha të enjten se "asnjë gjykatë në Serbi nuk ka të drejtë të gjykoj qytetarët e Republikës së Kosovës. Aq më pak të zhvillojë procese gjyqësore ndaj luftëtarëve të UÇK-së, të cilët kanë zhvilluar luftë çlirimtare duke respektuar ligjet dhe zakonet e luftës”.

Ai tha se qeveria do t’i njoftojë partnerët ndërkombëtarë "dhe do të kërkojë prej tyre që të ushtrojnë trysni ndaj Serbisë për të ndërprerë farsat e tilla gjyqësore dhe ndjekjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës me akuza të pabaza dhe krejtësisht jashtë standardeve juridike ndërkombëtare. Asnjë vendim i djeshëm i kësaj gjykate ndaj tetë qytetarëve të Republikës së Kosovës, eprorë të nderuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe asnjë proces tjetër nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi dhe nuk do të mund të zbatohet asnjëherë, sepse gjykatat e Serbisë nuk kanë juridiksion të procedojnë çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe qytetarët e saj, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe për Serbinë qytetarët e Republikës së Kosovës janë shtetas të huaj”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Ministria e drejtësisë në Kosovë tha se "Serbia vazhdon të sillet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe realitetin e ri të krijuar në Kosovë. Ky vendim bie ndesh edhe me parimet bazë të ligjshmërisë dhe juridiksionit që vendos drejtësinë në aspektin e së drejtës pozitive dhe kompetencës lëndore dhe territoriale, si dhe parimit të inter-operabilitetit në fushën e juridiksionit të së drejtës penale vendore dhe asaj ndërkombëtare. Ky vendim shkel edhe parimin e të drejtës pozitive të vet shtetit serb, i cili në mase të madhe po keqpërdor edhe tolerancën e mekanizmave ndërkombëtar. Prandaj, kjo situatë duhet të shqyrtohet me kujdes edhe nga mekanizmat ndërkombëtar në Kosovë, veçanërisht nga EULEX-i", thuhet në një komunikatë të kësaj ministrie.

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se veprimi i gjykatës serbe "është precedent i rrezikshëm dhe përzierja flagrante në sistemin juridik e politik të Kosovës".

Aleanca vlerëson se është i çuditshëm një vendim i tillë, i cili behët publik pikërisht në ditën e pavarësisë së Kosovës dhe në kohën, kur "institucionet e Kosovës, po bëjnë edhe kompromise antikushtetuese për Asociacionin e komunave serbe. Ky do të duhej të ishte një alarm edhe për reflektimin e institucioneve të Kosovës, në raportet që po i ndërtojnë me Beogradin, dhe bazë që nga bashkëbiseduesit e tyre serbë në Bruksel, të kishin kërkuar tashmë që Serbia të heqë dorë nga ndjekja e shtetasve të Kosovës".

Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se "baza juridike e trupës klandestine gjyqësore serbe, i takon ish sistemit socialist- komunist të Republikës Federale të Jugosllavisë, e cila nuk ekziston as si rregullim shtetëror e as si sistem politik. Ky ish sistem juridik, nuk mund të trashëgojë bazë për veprim juridik ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës".

Autoritetet serbe kanë mbajtur gjykime në mungesë dhe kanë lëshuar urdhër arreste në disa raste për ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, që të mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

XS
SM
MD
LG