Lidhje

Maqedonia arreston një zyrtar të Kosovës sipas një urdhër arresti serb


Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se policia maqedonase arrestoi të premten Gafurr Dugollin, drejtor i Zyrës së Protokollit në këtë ministri, derisa po shkonte me detyrë zyrtare për rregullim të vizave në ambasadën amerikane në Shkup.

Arrestimi është bërë në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga policia e Serbisë, nën dyshimet se zoti Dugolli është i kërkuar për krime lufte. Gjatë luftës së Kosovës ai ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qeveria e Kosovës u shpreh e shqetësuar për ndalimin e zotit Dugolli, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.

"Ndalimi i zoti Dugolli në pikë kalimin kufitar Kosovë-Maqedoni, është bërë duke u bazuar në fletarrestet jolegale serbe, me pretendimin tashmë të njohur “për kryerje të krimeve të luftës”. Qeveria e Kosovës fton Republikën e Maqedonisë dhe të gjitha shtetet fqinje e më gjerë, që të mos ndërmarrin veprime policore ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës duke u bazuar në listat e Serbisë, të cilat janë të hartuara në shpërputhje të plotë me aktet juridike dhe praktikat ndërkombëtare në këtë fushë", thuhet në një reagim të qeverisë e cila thekson se do të kërkojë me këmbëngulje nga autoritetet e Bashkimit Evropian si dhe partnerët strategjikë të Kosovës që të përdorin ndikimin e tyre te Serbia për t’u dhënë fund përndjekjeve të karakterit të tillë ndaj qytetarëve të Kosovës.

"Qeveria e Kosovës është informuar se Serbia para pak ditësh, duke shkelur çdo praktikë ndërkombëtare, ka përditësuar listën e re, ku sërish janë përfshirë qytetarë dhe personalitete të Republikës së Kosovës, me ç’rast i konsideron ato akte krejtësisht të pavlera dhe të cilat duhet të injorohen e të mos merren fare parasysh nga shtetet fqinje dhe me gjerë", thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, që të mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte e vendkalime kufitare të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

XS
SM
MD
LG