Lidhje

Zgjedhjet në veriun e Kosovës – në shtator


Jo zyrtarisht thuhet se 15 shtatori i këtij viti është datë e mbajtjes së zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe në veri.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se më së largu në vjeshtën e këtij viti, do të mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

Ai i bëri këto komente gjatë një takimi me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga me të cilën filloi një seri takimesh në funksion të informimit me rrjedhën e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Atifete Jahjaga and Hashim Thaçi

Atifete Jahjaga and Hashim Thaçi


Në një komunikatë të zyrës së presidentes thuhet se kryeministri Thaçi e informoi presidenten Jahjaga për marrëveshjet e arritura në parim që pritet të konkretizohen në takimin e radhës ndërmjet kryeministrave të të dyja vendeve më 4 mars, në Bruksel.

Kryeministri Thaçi citohet të ketë thënë mes tjerash se është arritur pajtimi që të shpërbëhen strukturat policore serbe dhe ato të zbulimit në Kosovë dhe që të transformohen strukturat e tjera, të krijohet asociacioni i komunave ekzistuese me shumicë serbe në Kosovë, dhe që në komunat në veri të Kosovës të mbahen zgjedhjet për pushtetin lokal, që do të organizohen nga Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Ndonëse nuk është pohuar zyrtarisht, thuhet se 15 shtatori mund të jetë datë e mbajtjes së zgjedhjeve në veri.

Kryeministrat janë pajtuar në parim që të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, që është paraparë edhe me planin e kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës.

Krijimi i këtij asociacioni thuhet se do të ndodhë nën planin dhe mbikëqyrjen e ndërmjetësueses së këtyre bisedimeve, shefes se politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Javën që vjen, të dy kryeministrat do të vazhdojnë bisedimet në të cilat do të përcaktohen edhe afatet e zbatimit të marrëveshjeve, ndërsa muaji prill shihet si periudhë e fillimit të procesit të zbatimit të tyre.

Beogradi zyrtar pohon se çështja e strukturave në veri është tema kryesore e bisedimeve, por shpërbërja e tyre nuk mund të ndodhë pa siguruar zëvendësimin për to.

Përfaqësues serbë që ishin pjesë e bisedimeve thonë se krijimi i i asociacionit të komunave sipas planit te zotit Ahtisaari është i pamjaftueshëm dhe ata ngulin këmbë në një bashkësi komunash që do të përfshinin edhe ato me shumicë serbe në jug të lumit Ibër.

Në Prishtinë autoritetet thonë se asociacioni i komunave nuk mund të ketë fuqi ekzekutive.

Serbia është pajtuar të angazhohet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë, meqë kjo është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Diplomatët i kanë kërkuar Serbisë që të shpërbëjë strukturat e saj të sigurisë në veriun e Kosovës si kusht që të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Prishtina zyrtare e cila synon integrimet evropiane, shpreson që në fund të marrë datën për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por edhe të zgjidhe situatën në veriun e Kosovës.

Muaji qershor, mund të sigurojë datat e bisedimeve për të dyja palët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG