Lidhje

Serbët e Kosovës, jo krahasim me Krimenë


Kryetarët e komunave veriore të Kosovës reagojnë ndaj krahasimit të Krimesë me Luginën e Preshevës

Kryetarët e komunave veriore të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e fundvitit të kaluar, u kanë bërë thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që sic thuhet, publikisht të dënojnë idenë e copëtimit të Serbisë.

Komentet e tyre pasuan deklaratat e kryetarit të Kuvendit komunal të Bujanocit, një nga tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë Jonuz Musliu, që nëse Krimeja i bashkohet Rusisë, të njëjtën të drejtë duhet dhënë edhe komunave të Preshevës Medvegjës e Bujanovcit, popullata e të cilave më 1992 përmes referendumit është përcaktuar për bashkim me Kosovën.

Zoti Musliu, ishte udhëheqës i këshillit politik të ish Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, gjatë konfliktit të viteve 1999 – 2001 ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ai është cituar nga mjetet lokale të informimit të ketë thënë që “nëse autoritetet në Moskë thonë se Krimeja mund t’i bashkohet Rusisë, atëherë edhe Tirana e Prishtina mund të kërkojnë të njëjtën për Luginën e Preshevës”. Zoti Musliu thotë se historikisht Lugina ishte pjesë e Kosovës ndërsa ishte ndarë prej saj në vitin 1948 me vendim të udhëheqjes komuniste jugosllave të kohës.

Deklaratat e tij ishin cilësuar si kërcënim për tërësinë tokësore të Serbisë nga ana e ministrit në largim të qeverisë serbe për Kosovën Aleksandër Vulin. Ai u tha medieve serbe se deklaratat e tilla janë të rrezikshme dhe mund të kenë pasoja të paparashikueshme në tërë territorin e Serbisë.

Edhe kryetarët e komunave veriore të Kosovës thanë se deklaratat e tilla për copëtimin e Serbisë, mund të çojnë në një situatë me pasoja të paparashikueshme për tërë Ballkanin, dhe se politika e standardeve të dyfishta nga ana e ndërkombëtarëve duhet të përfundojë.

Diskutimet e tilla pasuan krahasimet e bëra nga vet krerët rus ndërmjet zhvillimeve ne gadishullin e Krimesë dhe Kosovës, pohime që janë hedhur poshtë nga përfaqësues ndërkombëtarë por edhe ata vendas në Kosovë.
XS
SM
MD
LG