Lidhje

Lugina e Preshevës - protestë për pllakat përkujtimore


Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë heqjen e një pllake përkujtimore kushtuar forcave serbe dhe rivendosjen e pllakës kushtuar UÇPMB-së

Mijëra veta morën pjesë në një protestë në komunën e Bujanocit, një nga tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Ata kërkuan që autoritetet serbe të kthejnë në Preshevë pllakën përkujtimore kushtuar të rënëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që u hoq ditë më parë nga forcat serbe dhe në të njëjtën kohë të hiqet një pllakë përkujtimore e vendosur në fshatin Lluçan të komunës së Bujanocit, që u kushtohet pjesëtarëve të forcave serbe.

Gjatë protestës e cila u zhvillua pa incidente, pati kërkesa që shqiptarët e Luginës të përfshihen në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por edhe për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Po sot, autoritetet lokale të Preshevës thanë se kanë shtruar kërkesën para Ministrisë së Drejtësisë në Beograd për legalizimin e pllakës përkujtimore, largimi i së cilës nxiti tensione në Luginë.

Ndërkohë, Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtarë i Krizave, thotë se atje duhen veprime të shpejta. Në një shkrim të tij, ai thotë se kundërthëniet rreth pllakës përkujtimore janë një shkëndijë shtesë, meqë shqiptarët në rajonin më të varfër të Serbisë kanë shumë ankesa.

Marko Prelec, ICG

Marko Prelec, ICG

Ndonëse konflikti në zonë ka marrë fund më shumë se dhjetë vjet më parë, atje ka një prani të madhe ushtarake e policore që ndikon në krijimin e ndjenjës së frikës. Ndjenja e diskriminimit dhe izolimit është shume e thellë. Rajoni ka qasje të kufizuar në investime, punësim e arsimim, ndërsa udhëheqësit shqiptarë nuk kanë besim ne qeverinë e Serbisë dhe kërkojnë ndihmë nga Kosova dhe Shqipëria, shkruan zoti Prelec.

Ndonëse pjesë e Serbisë, Lugina është e lidhur me Kosovën. Dhe sa herë që Kosovës i kërkohen në bisedime më shumë autonomi dhe më shumë të drejta për serbët në veriun e saj, Presheva reagon dhe shqiptarët pohojnë se kanë shumë më pak të drejta sesa serbët në Kosovë. Kur udhëheqësit e Serbisë hedhin idenë e ndarjes së veriut të Kosovës dhe bashkimit me Serbinë, Presheva tërheq vërejtjen se ajo do të kërkojë bashkim me Kosovën, thotë ai.

Duke përmendur reagimet në Kosovë por edhe Shqipëri pas tensioneve në Preshevë, Zoti Prelec shkruan se Beogradi duhet t’u përgjigjet kërkesave të shqiptarëve në Preshevës për dialog dhe të angazhohet për shtendosjen e situatës.

Kryeministri serb Ivica Daçiç, thotë ai, duhet të zbatojë planet e vitit 2001 që i dhanë fund kryengritjes e kjo nënkupton fundin e diskriminimit duke marrë masa për shtimin e investimeve, punësimit, arsimimit dhe çmilitarizimit të Luginës. Nëse injorohen, shqiptarët do të largohen nga shteti dhe do të kërkojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë në bisedimet Kosovë – Serbi.

Nëse kryeministri serb synon që Prishtina të jap më shumë të drejta për serbët e Kosovës përtej kushtetutës së saj duhet t’i ofrojë Preshevës më shume sesa parashohin ligjet serbe. Ai mund të fillojë me kalimin e më shumë përgjegjësive tek autoritetet komunale dhe të lejojë Prishtinën që të ofrojë fonde për fushat e arsimit dhe kulturës.

Presheva, shkruan zoti Prelec, nuk është tjetërsuar ende tërësisht nga shteti serb, prandaj ai duhet të shfrytëzojë mundësitë që të dëshmojë se mund t’u ofrojë shqiptarëve të Preshevës një shtëpi të mirë që ata e meritojnë.

XS
SM
MD
LG