Lidhje

Daçiç kundër përkujtimit të UÇPMB-së


Preshevë

Preshevë

Kryeministri serb, Ivica Daçiç, kërkoi heqjen e një pllake përkujtimore për kryengritësit shqiptarë të vendosur në Preshevë.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që të heqin nga qendra e Preshevës një pllakë përkujtimore kushtuar të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Tre ditë më parë, atje u ngrit një pllakë përkujtimore ku janë vendosur emrat e 27 kryengritësve shqiptarë të vrarë gjatë luftës së tyre me forcat qeveritare serbe gjatë viteve 1999 – 2001.

Kryeministri serb, që njëherësh është edhe ministër i brendshëm, Ivica Daçiç, tha se “pllaka duhet të hiqet dhe më mire është që ta heqin vetë”.

Në një deklaratë dhënë medieve serbe ai tha se “po qe se vëmë pllakë duke nderuar ata që vranë policë e ushtarë në jug të Serbisë, atëherë le të themi se ajo nuk është pjesë e Serbisë. Ne nuk kemi mëdyshje se Presheva e Medvegja janë pjesë e Serbisë, e nëse bashkësia ndërkombëtare ka mëdyshje le të përgjigjet. Mos të ketë nesër përdorim të tepruar force sepse heqja e pllakës mund të shkaktojë probleme serioze të sigurisë”.

Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, ishte një formacion i kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Në maj të vitit 2001, konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe, mori fund me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG