Lidhje

Parakalim në mbështetje të Luginës së Preshevës


Qindra studentë të Universitetit të Prishtinës u bënë thirrje Tiranës dhe Prishtinës që të mbështesin shqiptarët në Luginën e Preshevës

Qindra studentë të Universitetit të Prishtinës parakaluan sot rrugëve të Prishtinës në mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ata bënë thirrje për mbështetjen e shqiptarëve në jug të Serbisë, për tejkalimin e situatës së krijuar pas refuzimit te përfaqësuesve shqiptarë që të largojnë nga qendra e Preshevës, një pllakë përkujtimore kushtuar pjesëtarëve të rënë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Pllaka përkujtimore e UÇPMB-së në Preshevë
Pllaka përkujtimore e UÇPMB-së në Preshevë

Ministria serbe e drejtësisë, tha se të martën në mesnatë ka skaduar afati për largimin e pllakës përkujtimore dhe tash priten veprimet e organeve shtetërore. Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kanë refuzuar largimin e pllakës përkujtimore, me gjithë paralajmërimet e autoriteteve serbe se largimi i saj do të bëhet edhe me forcë.

Përfaqësues të studentëve Arben Mehmeti dhe Naim Ramizi bënë thirrje sot që Prishtina dhe Tirana të veprojnë në mbështetje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Nga qeveria e Republikës së Kosovës kërkojmë që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi në mënyrë që edhe shqiptarët atje të gëzojnë të drejtat e barabarta që i gëzojnë serbët këtu në Kosovë”, tha zoti Mehmeti.

Kërkojmë nga ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë që çështjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore të shtrojë në organizatën e Kombeve të Bashkuara në Neë York”, tha zoti Ramizi.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha të martën se shteti serb “nuk do të nxisë konflikte të reja, por as nuk do të lejojë provokime të hapura”. Ai tha se ka më shumë se 20 përmendore të ngjashme në komunat jugore të Serbisë mirëpo ato gjendet përskaj rrugës apo edhe vende të tjera, dhe vetëm në Preshevë është vendosur në hapësirë publike dhe në qendër të qytetit. Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të shqiptarëve që të largojnë pllakën përkujtimore në vend se këtë ta bëjnë forcat e rendit.

Debatet rreth kësaj çështjeje kanë nxitur tensione në Luginën e Preshevës, përfaqësuesit e së cilës të martën janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ai tha sot se çështjet duhet të zgjidhen me bisedime të drejtpërdrejta të përfaqësuesve të shqiptarëve dhe autoriteteve në Beograd me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtarë.

Situatat që nuk janë në interesin e askujt të evitohen përmes një procesi të dialogut, kontakteve të drejtpërdrejta të rregullta, secili entitet ka identitetin e vet që duhet të respektohet e nderohet nga të gjithë dhe në asnjë rrethanë të mos krijohen situata problematike me kosto të panevojshme”, tha ai.

Kryeministri Thaçi tha se kjo çështje është diskutuar edhe me përfaqësuesit e pesë vendeve kryesore euro perëndimore në Prishtinë një ditë para takimit te radhës me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç në Bruksel.

Ai tha se në takim do të diskutohet për zhbërjen e strukturave ta paligjshme të sigurisë së Serbisë dhe transparencën e ndihmave financiare të Serbisë për komunitetin serb në Kosovë. Ai tha se Kosova është e gatshme që të mundësojë zbatimin e elementeve të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari për vetë-qeverisje në nivelin lokal të komunave me shumicë serbe në veri të vendit, që mundësojnë edhe krijimin e partneritetit ndërmjet komunave.



Por, kryeministri Thaçi, tha se kjo është e gjitha që do t'iu ofrohet serbëve në veri të vendit, dhe asgjë më shumë, duke hedhur poshtë çdo ide për status të veçantë të komunave me shumicë serbe.

Në asnjë mënyrë nuk do të bisedoj për statusin politik është zgjidhur njëherë e përgjithmonë, për tërësinë territoriale që është njohur dhe pranuar ndërkombëtarisht, për organizimin e brendshëm të Kosovës që është kodifikuar me propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, si dhe për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik të organizuar në Bruksel prej tetë marsit 2011”, tha kryeministri Thaçi.

Të dielën, autoritetet serbe publikuan tekstin e platformës për bisedimet me Kosovën, nëpërmjet së cilës kërkohet autonomi territoriale për katër komunat veriore të Kosovës dhe komunat tjera me shumicë serbe.

Një ditë më parë kryeministri serb Ivica Dacic tha se Beogradi do të mund të diskutonte edhe mundësinë që Kosovë të ketë një vend të Kombet e Bashkuara por për këtë duhet një kompromis nga Prishtina.

Të dyja palët ndërkaq, pavarësisht qëndrimeve tashmë e kanë bërë të qartë se situata në veriun e Kosovës, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës do të hidhet në tryezën e bisedimeve.
XS
SM
MD
LG