Lidhje

Protesta në Preshevë


Në qendër të Preshevës u protestua kundër heqjes së pllakës përkujtimore për UÇPMB-në

Në Preshevë, është protestuar sot kundër largimit të pllakës përkujtimore kushtuar pjesëtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Pllaka u largua të dielën nga forcat e xhandarmërisë serbe.

Protestuesit bënë thirrje pos tjerash që të rihapet dialogu ndërmjet qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve të Luginës së Preshevës për t’i dhënë fund diskriminimit të shqiptarëve në zonë.

Përfaqësuesit e Luginës kanë kërkuar që çështja e kësaj zone të përfshihet në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që shqiptarët e Luginës të kenë të drejta të barabarta si serbët e Kosovës.

Në një deklaratë të paraqitur nga udhëheqësit politik të Luginës së Preshevës kërkohet që pllaka përkujtimore të kthehet në sheshin ku ka qenë deri në gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi. Aty kërkohet zhvendosja e një përmendoreje të policëve serbë që është ngritur në fshatin nga Lluçan të komunës së Bujanocit, një fshat që është i banuar tërësisht me shqiptarë.

Nëpërmjet deklaratës kërkohet të hapet dialogu në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së vitit 2001 ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve shqiptarë të Luginës, e cila i kishte dhënë fund luftës ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve të UÇPMB-së.

Largimi i pllakës përkujtimore nxiti shume reagime në Luginën e Preshevës por edhe në Prishtinë dhe në Tiranë.

Prishtina zyrtare paralajmëroi se veprimet e autoriteteve serbe mund të dëmtojnë seriozisht edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndemjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot se situata e sigurisë në Preshevë është e qetë dhe se ngjarjet atje janë “çështje e brendshme” e Serbisë.


*******

Autoritetet serbe hoqën të dielën pllakën përkujtimore kushtuar të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që ishte vendosur para Kuvendit të Komunës në Preshevë.

Forca të mëdha të xhandarmerisë, siguruan operacionin e largimit të pllakës përkujtimore.

Qeveria e Serbisë nëpërmjet një komunikate tha se “përmendorja e ngritur në mënyrë të paligjshme”, është larguar nga qendra e Preshevës dhe se aksioni ka kaluar pa incidente.



Përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës kishin refuzuar thirrjet e autoriteteve serbe për largimin e saj nga qendra e Preshevës dhe ndërkohë kishin filluar procesin e të bërit të ligjshëm të saj.

Ata e dënuan veprimin e forcave serbe duke nënvizuar se kjo dëshmon që qasja e Beogradit ndaj shqiptarëve ka mbetur e pandryshuar. Në vendin ku ndodhej pllaka përkujtimore sot janë ndezur qirinj, ndërsa për të hënën është paralajmëruar një protestë. Përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe qetësinë pas veprimeve të forcave serbe.

Ata bënë thirrje që çështja e Luginës së Preshevës urgjentisht të trajtohet edhe në Bruksel në bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë.

Pllaka përkujtimore qe vendosur në Preshevë në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe ajo u kushtohej kryengritësve shqiptarë që luftuan për më shumë të drejta të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në maj të vitit 2001, konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe, mori fund me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë, i cili edhe kësaj radhe ishte përfshirë në përpjekjet për të gjetur një kompromis ndërmjet Beogradit dhe shqiptarëve në zonë.

Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë shprehu keqardhjen që negociatat për gjetjen e zgjidhjes së kompromisit u dëmtuan nga largimi i monumentit nga ana e qeverisë serbe dhe se “negociatat është dashur të vazhdojnë për gjetjen e zgjidhjes, që do të respektonte dëshirat e të dy komuniteteve”.

-Reagime në Prishtinë dhe në Tiranë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një deklarate vlerëson se heqja e përmendores është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

Heqja e përmendores nuk është në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur nëpërmjet institucioneve të kuvendeve komunale, që janë institucione legjitime dhe legale. Kjo tregon mungesën e gatishmërisë që nëpërmjet dialogut të gjendet zgjidhja si një mekanizëm tashmë i dëshmuar demokratik”, thuhet në reagimin e presidentes Jahjaga nëpërmjet të cilit bëhet për qetësi dhe për krijimin e një klime të mirëbesimit që do të rivendoste dialogun me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi thekson në reagimin e tij se, “ky veprim qyqar i Beogradit, dëshmon edhe njëherë se pushteti aktual i Serbisë nuk ka ndryshuar asgjë nga logjika, mentaliteti dhe veprimet e pushtetit të Sllobodan Milosheviqit. Veprimet e tilla nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon, e as procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kjo është edhe një dëshmi se Beogradi vazhdon të jetë prodhues i destabilitetit, nxitës i konflikteve dhe urrejtjeve ndërmjet kombeve”.

Në reagim thuhet se “rrënimi i përmendoreve dhe ndalimi i shpalosjes së vlerave kulturore dhe i kujtesës historike të popujve, nuk përkon me vlerat universale të kohëve moderne, si: liria, paqja, demokracia dhe bashkëpunimi”.

Ai bën thirrje për gjakftohtësi, në mënyrë që shqiptarët e kësaj treve “të mos bien pre e provokimeve të Beogradit, sado të dhimbshme qofshin ato”.

Qeveria e Kosovës ndërkaq, e cilësoi veprim të shëmtuar heqjen me forcë të pllakës përkujtimore.

Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviqit. Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët”.

Në reagimin e qeverisë së Kosovës thuhet se “ky veprim jo civilizues i Qeverisë së Serbisë nuk e ndryshon dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë. Përkundrazi, vetëm sa e forcon atë dhe na rikujton se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar”.

Ajo u bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës “që të mos i përgjigjen këtij provokimi qyqar të Serbisë. Ne duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike”.

Qeveria e Kosovës tërheq vërejtjen se “ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë”.

Heqja e pllakës përkujtimore është dënuar edhe nga Qeveria e Shqipërisë e cila e cilëson këtë si “një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit, që dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti shqiptare e Slobodan Milloshevicit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit. Me këtë akt të rëndë, autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Evropës, si dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Evropës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t'i zbatojë”.

Duke shprehur mbështetjen për sic thuhet, qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb, qeveria e Shqipërisë i siguron ata se “Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë, pa asnjë lëkundje, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat, nuk mund të kenë, në asnjë rast, standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e Veriut. Qeveria shqiptare u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë, që po shfaqet rëndom në rajon, si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij”.
XS
SM
MD
LG