Lidhje

Putin në Beograd – mbështetje Serbisë për Kosovën


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i shprehu mbështetje Beogradit në një vizitë që po zhvillon në Serbinë e gjendur ndërmjet miqësisë me Moskën dhe aspiratave evropiane.

Presidenti rus Vladimir Putin u zotua sot për të vazhduar mbështetjen ndaj Serbisë, përshirë edhe qasjen e saj ndaj çështjes së Kosovës.

Ai shkoi të enjten në Beograd për të takuar udhëheqësit më ta lartë serbë dhe për të marrë pjesë në një parakalim ushtarak me rastin e përvjetorit të çlirimit të Beogradit nga nazistët në një përpjekje të përbashkët të partizanëve jugosllav dhe Armatës së Kuqe ruse.

Serbia është vënë në mes të synimeve për integrimet në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore.

Presidenti rus ritheksoi këtë qëndrim pas takimit me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliç.

Rusia ka qëndrim parimor që nuk mbështetet vetëm në miqësi dhe afërsi, por në të drejtën ndërkombëtare. Ne e kemi mbështetur Serbinë dhe vazhdojmë ta mbështesim. Rusia nuk bënë tregti me miqësinë”, tha presidenti rus, i cili mori mirënjohje nga presidenti serb i cili u zotua se nuk do të rrezikojë miqësinë me aleatin e madh me ndonjë sjellje të keqe. Ai tha se Serbia sot nuk ka armiq por ka miq më të vegjël dhe më të mëdhenj.

Rusinë e radhisim ndër miqtë e mëdhenj. Mendojmë si pararendësit tanë dhe i mësojmë fëmijët të mendojnë si ne. Çdo gjë na lidhë: gjuha, besimi, prejardhja por edhe fakti që jemi në të njëjtën anë. Për ne sot është shumë e vlefshme mbështetja për tërësinë tokësore, posaçërisht në Kosovë. Ju këtë po e ruani ndonëse keni mundur të veproni ndryshe” tha presidenti serb.

Perëndimi nuk e sheh me sy të mirë pjesëmarrjen e presidentit rus në parakalimin ushtarak të mbi 3 mijë ushtarëve serb, ndërsa NATO-ja pohon se trupat ruse janë duke luftuar në anën e kryengritësve separatistë në Ukrainën lindore.

Pjesëmarrja në parakalim i jep mundësi presidenti rus të demonstrojë ndikimin e tij në disa pjesë të Ballkanit, qoftë nëpërmjet furnizimit me gaz qoftë nëpërmjet theksimit të vëllazërisë sllave dhe besimit të njëjtë.

Serbia e organizoi para kohe parakalimin ushtarak, të parin pas mese 30 vjetësh, për t’ju përshtatur orarit të presidentit Putin, i cili nga Beogradi shkon në Itali për të marrë pjesë në takimin e lartë Europë – Azi që do të mbahet në Milano. Ai pritet të përballet me udhëheqësit evropian që kërkojnë nga Rusia të mbajë duart larg Ukrainës. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha në parlamentin gjerman para nisjes për në Itali se sanksionet ndaj Rusisë nuk përjashtojnë dialogun.

Ne nuk do të lëmë asnjë dyshim që shkelja e tërësisë tokësore të Ukrainës dhe e të drejtës ndërkombëtare ne fqinjësi nuk do të kalojë pa pasoja. Prandaj sanksionet janë pjesë e rëndësishme e qasjes sonë ndaj krizës në Ukrainë. Por ato nuk janë fundi dhe ne po kërkojmë dialog me Rusinë”, tha kancelarja Merkel.

Para se të shkonte në Beograd, presidenti rus kritikoi sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian mbi Rusinë. Ai ka deklaruar se izolimi i Rusisë është ‘absurd’ dhe se përpjekjet për të bërë këtë mund të dëmtojnë rëndë ekonominë e Evropës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG