Lidhje

Beogradi trysni Prishtinës për asociacionin e komunave me shumicë serbe


Përfaqësues të Beogradit thanë që nëse gjatë disa javëve të ardhshme nuk do të ketë hapa konkretë për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, atëherë përfaqësuesit serbë do ta themelojnë vetë atë.

Këto komente pasuan një takim të përfaqësuesve serbë të Kosovës me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç të hënën, për të tejkaluar, siç u tha, ndarjet që ekzistojnë në kudër të Listës serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës.

Ndarjet pasuan vendimin e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa për të shkarkuar ministrin e pushtetit lokal Lubomir Mariç për shkak të siç është thënë kundërshtimeve të vazhdueshme të tij ndaj institucioneve të Kosovës

Ky vendim sipas qeverisë, qe marrë me propozim dhe këshillim me përfaqësuesit e Listës Serbe në parlamentin e Kosovës. Në vend të tij u emërua Mirjana Jevtiç, e cila deri tash ishte zëvendësministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kjo çoi në ndarje në Listën Serbe përfaqësuesit e së cilës u këshilluan të hënën në Beograd që të veprojnë të bashkuar dhe të ndryshojnë vendimet rreth ndryshimeve në përfaqësimin e tyre në qeverinë e Kosovës deri më 31 janar.

Pas takimit të së hënës shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se deri më 15 shkurt do të pritet për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pas asaj kohe serbët do të veprojnë vet për themelimin e tij dhe do të merren vesh mes vete se si do të duket asociacioni dhe çfarë përgjegjësishë do të ketë.

Më 25 gusht të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.

Qeveria thotë se asociacioni është në pajtim me ligjet e kushtetutën e Kosovës dhe propozimin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në bazë të të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës, ndërsa kanë mohuar çdo mundësi që ai të ketë përgjegjësi ekzekutive. Por, për opozitën asociacioni mund të çojë në ndarjen e brendshme të Kosovës.

Debatet rreth kësaj marrëveshjeje si dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi, çuan në krizën më të thelë politike në Kosovë.

Marrëveshja ishte pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG