Lidhje

Kuçi: Bisedimet me Serbinë të përfundojnë brenda një viti

  • Leonat Shehu

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, shprehu bindjen se bisedimet me Serbinë do të përfundojnë me një traktat paqeje.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci tha sot se Kosova e ka platformën e saj për bisedimet e ardhshme me Serbinë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ai i bëri këto komente gjatë një debati të organizuar nga Grupi i ekspertëve E15, lidhur me bisedimet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Takimi i ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Dacic, hapi rrugën për bisedime politike dhe përfundimisht e ngriti shkallën e përfaqësimit të të dyja vendeve në këtë proces i cili është mbështetur nga diplomacia euro perëndimore.



Në këtë kuadër shihet edhe vizita e sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton të mërkurën në Prishtinë, e cila do të shoqërohet nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi tha se qeveria është e përgatitur për këtë proces i cili sipas tij nuk e tejkalon rezolutën e miratuar nga Parlamenti i Kosovës.

Kosova nuk është e papërgatitur po ua them shumë sinqerisht, Kosova ka platformën e vet iniciale, por Kosova ka parasysh dy faktorë. Faktori i parë janë receptorët e kësaj platforme që janë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk mund t’i vemi para aktit të kryer dhe tu themi se kjo është pozita jonë, kjo është pika A dhe B dhe nuk mund të shkojmë përtej. Faktori i dytë në procesin e dialogut përcaktohet minimumi dhe optimumi dhe platforma jonë e ka optimumin dhe minimumin. Optimumi nuk e kalon pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se këto bisedime nuk do të jenë të pafundme.

Unë i kam dy raporte në mes të kohës dhe cilësisë. Është mirë që cilësia të jetë para kohës, por edhe koha duhet të jetë e limituar. Dialogu i papërfunduar i pa kohë të caktuar mund ta hup edhe legjitimitetin në proces e sipër. Legjitimiteti dhe ngecjet ndodhin kur nuk ka sukses të duhur, kur të ka zhvillime politike të brendshme dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm. Unë mendoj se brenda një viti duhet të rrumbullakohet kjo punë, edhe më herët është mirë, por do të ishte mirë që gjithë kjo të përfundoj brenda një afatit caktuar kohor, Kosova do të jetë pozitive edhe më shpejt”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.
Ndërsa deputeti i Parlamentit të Kosovës nga radhët e grupit të ekspertëve E15, Muhamet Mustafa, tha se bisedimet duhet të ndodhin, por duhet pasur kujdes në mënyrën e trajtimit të çështjeve të brendshme të Kosovës.

Ka zëra për autonomi speciale për veriun e Kosovës dhe gjëra të tjera, unë mendoj se këto nuk mund t’i injorojmë por janë në tavolinë, sado që na thonë se çështja e veriut të Kosovës nuk do të hapet, por në një far mënyre kjo çështje është në tavolinë e Kosova duhet të shoh se si ta artikuloj këtë, me cilat mjete të artikuloj në mënyrën më të mirë në interes të Kosovës”, tha zoti Mustafa

Çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kushtëzimeve që u janë bërë të dyja vendeve për përfshirjen në procesin e integrimeve evropiane. Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Të dyja palët janë shprehur të gatshme të bisedojnë qoftë për çështje teknike qoftë për ato politike. Por, Serbia ngulë këmbë se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa Prishtina hedh poshtë çdo mundësi të diskutimit për rregullimin e saj kushtetues e juridik.

Muaji i ardhshëm pritet të jetë periudhë e takimit të radhës ndërmjet kryeministrave dhe këtyre planeve pritet tu japin një shtytje të re vizitat e ditëve në vazhdim të zyrtarëve të lartë amerikan dhe evropian.
XS
SM
MD
LG