Lidhje

Bisedimet Kosovë – Serbi vazhdojnë të mërkurën


Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç takohen sërish të mërkurën në Bruksel.


E mërkura pritet të shënojë një periudhë të re bisedimesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton ka kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë Ivica Daçiç në një takim në Bruksel këtë të mërkurë.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se qëllimi i këtij takimi është vazhdimi i bisedimeve të filluara më 19 tetor në takimin e parë ndërmjet kryeministrave, me ndërmjetësimin e zonjës Ashton.

Të dyja palët janë shprehur në favor të këtyre bisedimeve, ndërsa procesi është mbështetur fuqishëm nga sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton, e cila të mërkurën e kaluar, kërkoi vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa kundërshtoi çfarëdo bisedimesh që prekin kufijtë e Kosovës.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kushtëzimeve që u janë bërë të dyja vendeve për përfshirjen në procesin e integrimeve evropiane. Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG