Lidhje

Serbia e Rusia të zemëruara me praninë e Kosovës në OKB


Serbia dhe Rusia protestuan ndaj pranisë së Kosovës në takimin e lartë kundër ekstremizmit të dhunshëm, që u mbajt nw New York. Prishtina e cilëson pjesëmarrjen si dëshmi të faktorizimit të Kosovës

Misioni i Serbisë në Kombet e Bashkuara, në këshillim me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç, i ka drejtuar një notë proteste OKB-së për shkak të pranisë së përfaqësuesve të Kosovës në takimin e lartë kundër ekstremizmit të dhunshëm që u mbajt të martën në New York me ftesë të presidentit amerikan Barack Obama.

Nota e protestës pasoi reagimin e të dërguarit të Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin, ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në takim.

Rusia, një aleat i Serbisë, mbështetë qëndrimin e Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008.

Ambasadori rus, tha se pjesëmarrja e Kosovës që nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, dëshmon se “në këtë ndërtesë, gjithçka është nën komandën e Obamas”.

Përfaqësuesit e Kosovës, thanë se pjesëmarrja e tyre dhe trajtimi i barabartë sikundër të gjitha shtetet tjera është një dëshmi e “faktorizimit të Kosovës”.

Në takimin e lartë që u mbajt në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, morën pjesë përfaqësues të mbi 100 vendeve. Presidenti Obama tha se fitorja ndaj grupit ISIS nuk mund të jetë vetëm ushtarake, por përpjekjet e tilla duhet të shoqërohen me përparim ekonomik dhe politik, për të eliminuar radikalizmin dhe ekstremizmin. Kjo, theksoi presidenti Obama, nënkupton të fitohet ndaj ideologjisë së grupit Shtetit Islamik, i cili po shfrytëzon kaosin dhe boshllëqet e krijuara në vende me qeveri të dështuara ose ato të përfshira në konflikte.

Në takim foli edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara në çdo betejë luftarake kundër ekstremizmit të dhunshëm. Por zoti Rama tha se kjo betejë kërkon më tepër se thjesht luftë me armë.

Kosova është përballur me sfidën e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e Mesme. Qytetarët e parë të Kosovës që u janë bashkuar konflikteve në Siri dhe Irak janë regjistruar nga mesi i vitit 2012. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare në Siri që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet nga 60 deri në 100 veta. Mbi 40 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Që nga viti 2013, autoritetet kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza. Në muajin mars, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja.

Por, veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

Autoritetet në bashkëpunim me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, hartuan një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, në përpjekje për të gjetur rrugët për përballjen më këtë dukuri.

XS
SM
MD
LG