Lidhje

Mustafa: Serbia kundrejt Kosovës – me gjuhën e së kaluarës


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se fjalori i Beogradit kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ngjanë me politikën që çoi në luftëra e shkatërrime gjatë viteve të 90-ta.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e cilësoi të mërkurën të papranueshëm fjalorin e përdorur nga përfaqësuesit politik e fetar serbë kundrejt Kosovës dhe kërkesës së saj për anëtarësim në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

Ai tha gjatë një takimi me gazetarë ne Prishtinë se Kosova ndanë dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj agjencie e cila të martë hapi konferencën e përgjithshme gjatë së cilës do të shqyrtohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim.

Kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO e ka paraqitur zyrtarisht Shqipëria, ndërsa është mbështetur nga 45 vende. Vendimi përfundimtar pritet të debatohet rreth datës 9 nëntor.

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, u bëri thirrje tw mërkurën anëtarëve të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s që të shtyjnë debatin për Kosovë, për t’i dhënë siç thuhet “një mundësi dialogut, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët”. Ai e cilësoi si të pashembullt kërkesën e Kosovës, duke përsëritur qëndrimin kundërshtues të Serbisë ndaj pavarësisë së shtetit të ri që tashmë është njohur nga mbi 100 vende të botës.

Beogradi kundërshton ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke ngulur këmbë se siç thuhet, kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe “çdo rrëmbim i kësaj trashëgimie do të ishte cenim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb".

Kreu i Kishës Ortodokse në Serbi, patriarku Irinej, tha të martën se të gjithë duhet të ngrenë zërin për të mbrojtur Kosovën. “Nëse ndodhë përdorimi i forcës, duhet të bëjmë gjithçka që me dashje apo me forcë ta kthejmë”, tha ai.

Kryeministri Mustafa tha të mërkurën se ky fjalor dhe kjo fushatë përngjanë me politikën që solli shkatërrime e luftë gjatë viteve të 90-ta.

"Fjalori dhe akuzat janë tërësisht të papranueshme. Ato janë vazhdimësi e politikës serbe e cila është aplikuar këtu dhe e cila kishte si pasojë luftën, shkatërrimet, ka pas për pasojë viktimat njerëzore. Serbia tani në mungesë të argumenteve dhe në mungesë të sukseseve në politikën e jashtme po shërbehet me argumente të tilla çka flet që ata e kanë humbur rrugën dhe besimin", tha kryeministri Mustafa.

Ai tha se bashkësitë fetare në Kosovë e kanë shprehur tashmë vullnetin e tyre që Kosova të jetë pjesë e UNESCO-s.

"Serbia, siç po shihet, në emër të Kishës Ortodokse Serbe, të cilës ne ia kemi dhënë të gjitha garancitë e veprimit të plotë dhe të ruajtjes së identitetit tonë të plotë në vendin tonë, po tenton të pamundësojë që edhe trashëgimitë tjera fetare, myslimane, katolike, protestante, hebraike, të jenë pjesë e vlerave universale botërore", tha ai.

Ndërsa, ministri i Arsimit në qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami, tha se UNESCO mbulon 70 programe në të cilat Kosova do të mund të përfitonte që nga viti i parë i anëtarësimit.

"Qasja në programet e UNESCO-s do të ndihmojë Kosovën në fushat në nevojë kritike për përmirësime, siç është cilësia e kurrikulave, trajnimi i mësimdhënësve, përdorimi i teknologjisë si dhe kërkimi shkencor e akademik", tha ministri Bajrami.

Kërkesa e Kosovës është futur në rend të ditës më 21 tetor në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s, i cili miratoi edhe projekt rezolutën me të cilën rekomandohet pranimi i Kosovës, e cila mori 27 vota, ndërsa 14 vende votuan kundër.

Konferencën e përgjithshme e përbëjnë 195 vende anëtare dhe secili vend ka një votë, ndërkaq që për marrjen e vendimit, nevojiten dy të tretat e votave.

XS
SM
MD
LG