Lidhje

Ekspozitë në Beograd mbi krimet serbe në Kosovë


Ekspozita është vepër e tre të rinjve të një familjeje shqiptare nga Podujevë që i kishin mbijetuar një masakre në mars të vitit 1999

Tre të rinj shqiptarë nga Kosova hapën mbrëmë në Beograd një ekspozitë fotografish që dëshmojnë për krimet e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

Fatos, Jehona dhe Sarandë Bogujevci, si fëmijë i kishin mbijetuar një masakre të kryer në Podujevë, me 28 mars të vitit 1999, nga njësiti i forcave serbe i njohur me emrin “Shkorpionët”, me ç’rast ishin vrarë 14 civil, kryesisht gra dhe fëmijë.

Ekspozita e titulluar “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës” u hap mbrëmë në Qendrën kulturore në Beograd nën masa të rrepta sigurie për shkak të kundërshtimeve nga ana e grupeve radikale serbe, që e cilësuan atë si propagandë shqiptare.

Në hapje të ekspozitës, Saranda Bogujevci e cila ishte 14 vjece kur kishte ndodhur masakra e cilësoi atë një ngjarje me rëndësi.

“Kemi ndjenjën se e kemi pasur të shkruar të mbijetojmë për të treguar historinë tonë, për të treguar të vërtetën. Shpresoj se njerëzit do të vijnë për ta parë ekspozitën”, tha ajo.

Në ekspozitë mori pjesë edhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç, i cili bëri thirrje për siç tha, dënimin e krimeve të luftës të kryera nga të gjithë në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Ekspozitë mbi krimet e forcave serbe në Kosovë
Ekspozitë mbi krimet e forcave serbe në Kosovë

“Do të doja të dënohen të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj popullatës civile në luftërat në ish-Jugosllavi. Në anën tjetër, uroj që e vërteta të mund të tregohet kështu në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë: edhe në Zagreb, edhe në Knin, edhe në Sarajevë, edhe në Banjallukë, edhe në Prishtinë”, tha kryeministri serb.

Të rinjtë e familjes Bogujevci kishin dëshmuar në vitin 2009 në procesin gjyqësor kundër pjesëtarëve të njësive serbe që vranë të afërmit të tyre.
Katër prej tyre janë dënuar me nga 20 vjet, ndërsa një me 15 vjet heqje lirie për vrasjen e civilëve shqiptarë.
XS
SM
MD
LG