Lidhje

Nëntë të dënuar për krime lufte në Kosovë


Në Beograd, Gjykata e lartë dënoi nëntë pjesëtarë të njësitit paraushtarak serb të njohur si “Çakajtë” për vrasjen e mbi 100 shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë

Një Gjykatë në Beograd, dënoi sot nëntë persona me gjithsej 106 vjet heqje lirie nën akuzat për krime lufte kundër shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

Të nëntët pjesëtarë të formacionit para-ushtarak serb të njohur si “Çakajtë”, u dënuan për vrasjen e mbi 120 civilëve shqiptarë në fshatrat Lubeniq, Zahaq, Pavlan e Qyshk të komunës së Pejës, në Kosovën perëndimore në pranverën e vitit 1999.

Ata ngarkohen për vrasje, përdhunime, shkatërrim dhe plaçkitje të pronës së shqiptarëve, dhe dëbimin e popullatës civile për në Shqipëri.

Sipas aktakuzës, viktima më e re e këtyre krimeve ishte 19 vjeç ndërsa më e vjetra 87 vjeç.

Gjykata shpalli fajtorë dhe dënoi me nga 20 vjet heqje lirie, Toplica Miladinoviçin Milojko Nikoliçin dhe Dejan Bulatoviçin. Ranko Momiç, u dënua me 15 vjet, Abdullah Sokiç me 12 vjet, Sreçko Popoviç me 10, Sinisha Mishiç me 5 vjet dhe Slavisha Kastratoviç e Boban Bogiqeviç me nga dy vjet heqje lirie.

Akuza kundër tyre ishte ngritur në shtator të vitit 2010 për krime lufte në fshatin Qyshk të komunës së Pejës dhe në të thuhej se pjesëtarët e këtij njësiti “janë treguar skajshmërisht të dhunshëm dhe të pamëshirshëm, ndërsa kanë djegur më pas trupat e viktimave për të penguar identifikimin e tyre.

Në mesin e të vrarëve në këtë ngjarje ishte edhe Hasan Ceku, babai i ish kryeministrit të Kosovës Agim Ceku dhe disa anëtarë të familjes së tij.
Mbi 10 mijë veta janë vrarë gjatë luftës në Kosovë e cila morri fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.

Nëntë vjet pas luftës, Kosova shpalli pavarësinë e saj përvjetori i gjashtë i së cilës shënohet javën që vjen. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj, por është përfshirë në një proces bisedimesh me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve, që është kush për përparimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG