Lidhje

Zhvillime të reja rreth vrasjes së vëllezërve Bytyçi


Fatos Bytyçi, vëllai i tre shqiptarëve me shtetësi amerikane të vrarë 15 vjet më parë në Serbi, thotë se ka marrë zotimet Beogradit për arrestimin e përgjegjësve.

Autoritetet serbe pritet të publikojnë së shpejti akuza ndaj ish oficerëve të lartë të forcave serbe për përfshirjen në vrasjen e tre shtetasve amerikan me prejardhje nga Kosova në vitin 1999.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur në varrezë masive me duar të lidhura me tela.

Vëllai i tyre, Fatos Bytyçi, këto ditë ishte në Beograd për të biseduar me autoritetet serbe për vënien para drejtësisë të autorëve të vrasjes. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, ai tha se arrestimet janë penguar nga mungesa e vullnetit politik.

Po problemi është se shumica që janë aktorë të krimit ndaj vëllezërve të mi, janë në funksione të larta dhe ndjehen si “agjentë të dyfishtë”, por edhe qeveria serbe rastin e vëllezërve të mi e ka ndërtuar si një, të them, një shkallë për bashkëpunim më të afërt me qeverinë amerikane”.

Zoti Bytyçi është takuar edhe me kryeministrin serb Aleaksandër Vuçiç nga iu cili ka marrë zotimet për vënien në vend të drejtësisë.

Ai më ka thënë se është afër dhe pa marrë parasysh kush është aktori kryesor, që siç dihet është Goran Radosavleviç – Guri, por edhe të tjerët, sepse Goran Radosavleviç – Guri është vetëm një urë, sepse ka edhe të tjerë”.

Ai është i bindur për arrestimet e përgjegjësve për vrasjen e vëllezërve të tij.

Po do të ketë sepse qeveria e Serbisë ka shumë presion nga qeveria amerikane, prej kongresit, departamentit të shtetit. Edhe familja ime dhe kongresistët jemi duke i bërë trysni qeverisë serbe. Ata kanë edhe nevojë për investitorë. Për herë të parë po e them se është një investitor që kur ka bërë hulumtime për të investuar në Serbi, kur ka dëgjuar se tre amerikanë i kanë vrarë dhe e kanë djegur ambasadën (amerikane 2008), ka çuar dorë dhe ka thënë nuk investoj. Nuk mund të investoj nëse nuk i ndriçoni këto raste”.

Ai thekson se autoritetet serbe i kanë të gjitha provat për të ndriçuar rastin.

Po, po krejt dihet. Dihen dëshmitarët, ka prej tyre që kanë dëshirë të flasin. Krejt dihet, pse, si i kanë vrarë, krejt. Unë e kamë parë dosjen me sytë e mi. Por, nuk kanë dashur të veprojnë. Siç thashë më herët, e kanë përdorur për shkak të marrëdhënieve me qeverinë amerikane”.

Që nga vitit 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Brtyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë. Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.

Në tetor të vitit 2013 ligjvënësit amerikanë Eliot Engel dhe Michael Grimm paraqitën në Kongres një rezolutë me të cilën kërkohej që Beogradi të ndjekë autorët e vrasjes duke nënvizuar se përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, apo mungesa e tij, duhet të jetë faktor thelbësor në vendosjen e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG