Lidhje

FDH: Fshehja e dëshmive të krimeve në Kosovë


Kosovo, Serbia HLC
Kosovo, Serbia HLC

Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd publikoi të martën një dosje 88 faqëshe me titull "Fshehja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë – operacioni i fshehjes së trupave”.

Në dokument thuhet se prej vitit 2001, në varrezat masive në Serbi, janë gjetur trupat e 941 shqiptarëve, shumica civilë, që janë vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Nga ta “744 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë gjetur në Batajnicë, në periferi të Beogradit, së paku 61 në Petrovo Selo, dhe 84 në Liqenin e Peruçacit. Së paku 52 trupa janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë”, thuhet në dokument.

Sipas fondit, zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe ushtrisë jugosllave kanë qenë të përfshirë në fshehjen e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.

“Dëshmitë flasin se vendimi për fshehjen e provave të krimeve të kryera është marrë më së voni në mars të vitit 1999 , dhe në fshehjen e trupave kanë marrë pjesë pjesëtarët e departamentit për siguri publike, të sigurimit shtetëror të ministrisë së Brendshme dhe ushtria jugosllave nëpërmjet reparteve për 'pastrimin e terrenit'. Përveç tyre në largimin e trupave kanë marrë pjesë edhe civilë e punonjës të ndërmarrjeve publike, makineritë e të cilëve janë përdorur gjatë operacioneve".

Në dosje thuhet se trupat e gjetur nëpër varrezat masive nëpër Serbi nuk kanë qenë vetëm të burrave, por edhe të grave dhe fëmijëve.

“Shkak i vdekjes në shumicën e rasteve, kanë qenë plagë të shkaktuara nga plumbat, kryesisht në kokë, gjë që lë të kuptohet se viktimat nuk janë vrarë gjatë luftës, por janë ekzekutuar".

Fondi për të Drejtën Humanitare pohon se të dhënat janë mbledhur nga dëshmitarët, të mbijetuarit e krimeve, të personave që kanë pasur informacione për krimet, kryesisht pjesëtarët e policisë dhe punonjësit e kompanive që “kanë marrë pjesë në transportimin dhe varrosjen e trupave.

Po ashtu janë analizuar jo pak dokumente policore dhe ushtarake, kryesisht ato që janë gjetur përmes bazës së të dhënave të Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në ish Jugosllavi, por edhe disa dokumente që i ka gjetur Fondi për të Drejtën Humanitare, përmes gjykatave.

“Gjashtëmbëdhjetë vjet prej zbulimit të varrezës masive në Batajnicë, Petrovo Selo dhe Liqenin Peruçac, si dhe tre vjet prej zbulimit të varrezës masive në Rudnicë, të gjitha këto vende mbeten pa ndonjë shenjë që tregon se qindra trupa të burrave, grave dhe fëmijëve që janë vrarë në krime masive në Kosovë, janë varrosur në Serbi”, thuhet në dosjen e Fondit i cili ka ndërmarrë nismën për ngritjen e një përmendoreje afër varrezës masive në Batajnicë.

“Askush nuk është mbajtur përgjegjës para gjykatave në Serbi për operacionet e mëdha të fshehjes së trupave të viktimave shqiptare të Kosovës në varreza masive”, thuhet mes tjerash në dosjen e Fondit për të Drejtën Humanitare.

XS
SM
MD
LG