Lidhje

Prishtina hedh poshtë planet serbe për veriun e Kosovës

  • Leonat Shehu

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Platforma serbe për një status të veçantë për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe është cilësuar e papranueshme dhe e parealizueshme

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se platforma serbe për Kosovën është antievropiane dhe nuk do të jetësohet kurrë.

Ai i bëri këto komente në mbledhjen e sotme të qeverisë duke folur për platformën e hartuar nga autoritetet e Beogradit lidhur me bisedimet me Kosovën, në të cilën, sipas asaj çfarë është thënë deri tash, propozohet një status i veçantë për veriun e Kosovës, përkatësisht një lloj entiteti të ri, siç është Republika Serbe në Bosnjë.

Presidenti serb Tomislav Nikoliç, ka filluar një seri takimesh me forcat politike në Serbi dhe diplomatë të huaj, për të paraqitur platformën, e cila nga kryeministri Thaçi u cilësua si dokument që do të përfundojë në sirtarët e dëshirave të Beogradit.

Sot jemi dëshmitar se përsëri në Beograd prezantohen ide, projekte dhe platforma që nuk i kontribuojnë stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Këto platforma nuk janë platforma të reja. Edhe Kosova edhe e gjithë bota e dinë që këto platforma bazën e kanë tek platformat e vjetra serbe në raport me Kosovën dhe shqiptarët”, tha ai.

Por, kryeministri Thaçi tha se ky plan që paraqet vazhdimësi të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës, nuk do të realizohet kurrë në asnjë pjesë të Kosovës.

Sa i përket këtij plani anti-evropian, anti-civilizuese, anti-perëndimorë, kundër paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon, kam diskutuar me të gjitha kryeqytetet e rëndësishme botërore edhe me autoritetet në Bruksel por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mund të themi lirisht se ai projekt do të mbetet në sirtarët e dëshirave të Beogradit”, tha kryeministri Thaçi.

Kundër platformës së Beogradit kanë reaguar edhe institucionet tjera të Kosovës. Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se “propozimet e Serbisë janë pretendime territoriale ndaj një shteti tjetër, të pavarur dhe sovran dhe si të tilla janë të papranueshme dhe jashtë realitetit”.

Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Kosovës

Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Kosovës

Zgjidhjet që propozohen nga Republika e Serbisë, tha ai “e pengojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe bien ndesh me politikat e fqinjësisë së mirë, që janë parakusht për anëtarësim në BE. Ky propozim pengon edhe procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së. Zgjidhjet e propozuara krijojnë standarde të dyfishta për komunitetin serb në Kosovë dhe do të nxisnin shpërnguljen e popullatës serbe drejt veriut. Nuk duam që të shkatërrojmë atë që e kemi arritur deri sot, përfshirjen e komuniteteve, edhe atij serb, në institucionet e Republikës së Kosovës”, tha zoti Vllahiu.

Megjithatë, autoritetet në Prishtinë thanë se Kosova është e gatshme të vazhdojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Vazhdimi i këtyre bisedimeve pritet të ndodhë më 17 janar me takimin e radhës ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiç.

Deri atëherë palët do të vazhdojnë të debatojnë nëpërmjet grupeve punuese lidhur me konkretizimin e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit, që tashmë ka filluar të zbatohet në dy vendkalime kufitare. Qeveria serbe pohon se palët janë pajtuar që mallrat, që janë të destinuara për komunat veriore të Kosovës të banuara me shumice serbe nuk do t’u nënshtrohem taksave doganore.

Por, zyrtarë te qeverisë në Prishtinë thanë se Kosova do të mbetet me sistem i përbashkët doganor dhe nuk do të ketë asnjë dallim ndërmjet vendkalimeve kufitare me Serbinë. Beogradi ka paralajmëruar se mund të tërhiqet nga bisedimet nëse ka shkelje të marrëveshjes, ndërsa Prishtina ngulë këmbë se ajo po respektohet në tërësi nga ana e saj dhe se përjashtimi i veriut nga detyrimet ligjore do të nënkuptonte një hap drejt autonomisë së asaj pjese ku edhe më tej nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG