Lidhje

Beogradi kërkon autonomi të gjerë për serbët e Kosovës


Parlamenti i Serbisë miratoi Rezolutën për bisedimet me Kosovën pas një debati të gjatë në fund të të cilit u vendos që platforma e Beogradit për këto bisedime të bëhet publike.

Në rezolutën e miratuar me shumicë votash dhe në tekstin e platformës thuhet se Serbia nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Por, dokumentet bëjnë thirrje ndërkaq për një autonomi të gjerë për komunitetin serb në Kosovë.

Në tekstin e platformës e cila deri sot, mbante shenjën e fshehtësisë, thuhet se “Serbia ngulë këmbë në vendosjen e Bashkësisë autonome të komunave në Kosovë që do të përbëhej nga autonomia territoriale e katër komunave në veri të Kosovës dhe komunave tjera me shumicë serbe si Graçanica, Shtërpca etj, të mbështetur në statusin e posaçëm mbi autonominë e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, të garantuara me Kushtetutën e sic thuhet, Krahinës së Kosovës dhe deklaratën e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtarë të përfshirë në proces”.

Kryeministri serb Ivica Daçiç u tha deputetëve se “sovraniteti serb” në Kosovë është “praktikisht jo-ekzistent” dhe se autonomia për serbët që jetojnë në Kosovë është më e shumta që Beogradi mund të shpresojë.

Në tekstin e platformës serbe thuhet se përgjegjësitë dhe elementet e rregullimit te brendshëm të autonomisë së bashkësisë së komunave serbe, do të zgjidhen nëpërmjet dialogut politik, ndërsa përgjegjësitë e kësaj autonomie do të përfshinin edhe gjyqësinë, policinë, arsimin, krijimin e parlamentit të komunave serbe etj.

Për një pjesë të vëzhguesve ndërkombëtarë, qasja e tillë e autoriteteve serbe paraqet një pikë kthese, meqë për herë të parë njihet në njëfarë mënyrë tërësia tokësore e Kosovës. Përfaqësues të Partisë Radikale dhe Partisë Demokratike serbe akuzuan autoritetet e Beogradit për tradhti.

Nuk ka pasur një reagim të veçantë në Prishtinë pas debateve në Parlamentin e Serbisë, por autoritetet në Kosovë kanë hedhur poshtë në vazhdimësi çdo synim për ndonjë status të posaçëm të komunave veriore të banuara me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen autoritetet e Prishtinës.

Kërkesat që ajo zonë të ketë rregullim të posaçëm për Prishtinën dhe diplomatët perëndimorë nënkuptojnë synime për ndarjen e Kosovës në vija etnike.

Prishtina zyrtare synon që në takimin e radhës të kërkojë shpërbërjen e plotë të strukturave të mbështetura nga Beogradi në veri, të cilat shihen si pengesa kryesore për integrimin e asaj zone.

Kryeministrat e të dyja vendeve, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, pritet të takohen më 17 janar në Bruksel për të vazhduar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Përparimi në këto bisedime është kushti themelor për rrugëtimin e të dyja vendeve drejt Bashkimit Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG