Lidhje

Beogradi ndëshkon kundërshtarët e tij në veriun e Kosovës


Qeveria serbe shpërndau kuvendet e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe për shkak të kundërshtimit të marrëveshjeve me Kosovën

Qeveria e Serbisë vendosi sot shpërndarjen e kuvendeve të katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës, të cilat nuk njiheshin nga Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtarë.

Në një njoftim të qeverisë serbe thuhet se në Mitrovicë, Zveçan, Leposaviç, dhe Zubin Potok, janë emëruar kryetarët dhe anëtarët e organeve të përkohshme.


Po ashtu qeveria serbe formoi një ekip drejtues për krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë, një mekanizëm i paraparë me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve të arritur ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiç në prill të këtij viti në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Drejtuesit e deritashëm të komunave paralele, janë shprehur kundër marrëveshjes dhe kundër përfshirjes së serbëve të veriut në zgjedhjet komunale të Kosovës që do të mbahen më tre nëntor.

Autoritetet në Beograd kishin paralajmëruar masa ndaj kundërshtarëve të marrëveshjes në veri duk vlerësuar se është interes shtetëror i Serbisë pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet komunale të Kosovës.

Nga gjithsej 100 subjekte politike që janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje në votimet e tre nëntorit, 18 subjekte janë nga radhët e komunitetit serb, përfshirë edhe veriun e banuar me shumicë serbe.
XS
SM
MD
LG