Lidhje

Kryeministri serb nesër në Kosovë


Kryeministri i Serbisë do të qëndrojë të shtunën në Graçanicë afër Prishtinës në një vizitë që autoritetet e Kosovës e cilësojnë me karakter fetar.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, do të qëndrojë të shtunën në Kosovë, në një vizitë që nga autoritetet e Prishtinës u cilësua me karakter fetar. Njoftimi u konfirmua nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë.

Gjatë kësaj vizite ai pritet të qëndrojë në manastirin mesjetar të Graçanicës, disa kilometra larg Prishtinës.


Më lejoni të sqaroj të gjithë qytetarët e Kosovës, se kërkesa e kryeministrit të Serbisë paraqitet si kërkesë me karakter strikt religjioz. Prandaj, unë konsideroj se nuk ka asnjë arsye që të mos lejohet një vizitë e tillë. Kosova është shtet modern dhe i pavarur dhe ne i ndajmë vlerat e përbashkëta civilizuese perëndimore. Prandaj, duke qenë një popull i civilizuar dhe i qytetëruar, ne duhet të kemi mirëkuptim edhe për vlerat religjioze dhe ato humanitare edhe të popujve tjerë, në këtë rast edhe të qytetarëve serbë, të cilët janë pjesë e vlerave kulturore dhe religjioze të Kosovës”, tha kryeministri Thaci në mbledhjen e qeverisë

Ai tha se Kosova ka edhe detyrime shtetërore kundrejt marrëveshjeve të arritura në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe lirinë e lëvizjes.

Ne si shtet modern dhe i civilizuar, asnjëherë nuk i kemi ndaluar vizitat e natyrës së tillë, përveç nëse zyrtarët e Serbisë i kanë keqpërdorur dhe nuk iu kanë përmbajtur rregullave dhe procedurave në fuqi, siç ka ndodhur në rastin e fundit që ka qenë ai i djeshmi nga një zyrtar i lartë i Serbisë, i cili është futur ilegalisht në Kosovë”, tha kryeministri Thaçi duke ju referuar ndalesës që i ishte bërë ministrit serb Aleksandër
Vulin që të qëndrojë në Kosovë të enjten. Por, ai ishte shfaqur në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, kur edhe me tej Prishtina nuk ushtron kontroll.

Dhjetë ditë më parë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçic, tha se do të vizitojë Kosovën, për të mbështetur pjesëmarrjen sa më të gjerë të serbëve në zgjedhjet për pushtetin komunal që mbahen më tre nëntor. Ai qe shprehur i bindur se nuk do të ketë pengesa pas bisedimeve që u zhvilluan me 7 tetor në Bruksel disa ditë pasi që Prishtina nuk i kishte dhënë leje të qëndrojë në Kosovë.

Kryeministri Thaçi tha se zyrtarët serbe mund të qëndrojnë në Kosovë për vizita fetare e humanitare por nuk do të lejohet përfshirja e tyre në fushatën për zgjedhjet komunale.

Në prill të këtij viti kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Marrëveshja parasheh edhe përfshirjen e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe për herë të parë në zgjedhjet për pushtetin komunal.

Nga rreth 30 subjekte politike nga radhët e komunitetit serb që duan të marrin pjesë në zgjedhje, Beogradi mbështetë Nismën Qytetare serbe. Pavarësisht karakterit fetar, kryeministri serb pritet të bëjë thirrje për përfshirje të serbëve në zgjedhjet komunale pas të cilave, sipas marrëveshjes, do të krijohet bashkësia e komunave serbe me një shkallë të gjerë autonomie.
XS
SM
MD
LG