Lidhje

Zv/kryeministri serb anulon vizitën në Kosovë


Zv/kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, anuloi një vizitë në Kosovë, meqë Prishtina nuk lejoi vizitën e ministrit të tij, Aleksandër Vulin.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se ka anuluar një vizitë të paraparë në Kosovë, meqë Prishtina nuk kishte dhënë leje që bashkë me të të udhëtojë edhe ministri i qeverisë serbë i ngarkuar për Kosovën, Aleksandër Vulin.

Ai u tha medieve serbe se për të mërkurën kishte planifikuar të qëndrojë në Graçanicë afër Prishtinës dhe në Leposaviç në veri të Kosovës, por ka hequr dorë për shkak se siç ka thënë ai “kushtëzimet nga Prishtina nuk kanë lejuar që me të të udhëtojë edhe ministri Vulin”.

Unë nuk pranoj kushte të tilla”, u tha medieve serbe zëvendëskryeministri i Serbisë, duke shfaqur shpresën se deri në fund të fushatës për zgjedhjet komunale të tre nëntorit do të mund të qëndrojë në Kosovë.

Autoritetet në Prishtinë kishin paralajmëruar se nuk do të lejojnë ministrin serb Aleksandër Vulin që të vizitojë Kosovën, meqë ai kishte shkelur marrëveshjen në vizitat e mëhershme gjatë muajit tetor.

Qeveria e Kosovës i lejoi të shtunën e kaluar kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç të qëndrojë në manastirin mesjetar të Graçanicës në një vizitë që Prishtina e cilësoi me karakter fetar.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se zyrtarët serb mund të qëndrojnë në Kosovë për vizita fetare e humanitare por nuk do të lejohet përfshirja e tyre në fushatën për zgjedhjet komunale.

Kryeministri serb gjatë vizitës bëri thirrje për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e tre nëntorit pas të cilave pritet të krijohet bashkësia e komunave serbe, të cilën ai e cilësoi si lidhje të ligjshme dhe të njohur ndërkombëtarisht ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Beogradit.

Në prill të këtij viti kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG