Lidhje

Pushojnë hetimet kundër ministrit serb Vulin


Autoritetet e drejtësisë pushuan hetimet kundër ministrit, Aleksandër Vulin për “hyrje të paligjshme” në Kosovë. Pushojnë edhe arsyet për pengimin e tij që të vizitojë Kosovën

Në Kosovë, prokuroria themelore në Mitrovicë, vendosi të pushojë hetimet kundër ministrit pa portofol në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin dhe me këtë pushuan edhe arsyet që autoritetet e Prishtinës t’i ndalojnë atij vizitat në Kosovë.

Ditë më parë, kjo prokurori kishte filluar hetimet duke kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që të lëshojë urdhër-arrest ndaj ministrit serb, nën dyshimet se ai kishte hyrë në Kosovë në rrugë të paligjshme më 16 tetor, pasi që atij nuk i ishte dhënë leje nga autoritetet e Prishtinës për të qëndruar në Kosovë.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se “janë siguruar dëshmi, në bazë të të cilave vërtetohet se Vulin, më datën 16.10.2013, nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës ka hyrë përmes vijës hekurudhore Kralevë-Zveçan-Mitrovicë e Veriut, e cila është pikë e autorizuar për kalim kufitar”.

Duke u bazuar në këto dëshmi, prokuroria ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë “që ta tërheq urdhër-arrestin e lëshuar ndaj të pandehurit Vulin, si dhe ka pushuar hetimet, pasiqë janë plotësuar kushtet ligjore për një gjë të tillë”.

Vendimi i prokurorisë u publikua vetëm një ditë para vizitës së paralajmëruar në Kosovë të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se do të marrë me vete edhe ministrin Vulin, pavarësisht hetimeve të filluara nga autoritetet në Kosovë.

Cështja e vizitave të zyrtarëve serbë është bërë temë përplasjesh ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Zyrtarët serbë thonë se vizitat e tyre janë në funksion të nxitjes së serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet komunale të tre nëntorit, ndërsa Prishtina thotë se ata mund të qëndrojnë në Kosovë për vizita me karakter fetar e humanitar, por jo të përfshihen në fushatën për zgjedhjet komunale.

Nga mbi 100 subjekte politike që konkurrojnë në këto zgjedhje, mbi 30 janë nga radhët e komunitetit serb, ndërsa Beogradi mbështet Nismën Qytetare serbe, duke nxitur pakënaqësinë e subjekteve tjera të këtij komuniteti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG