Lidhje

Debate rreth ekipit themelues të asociacionit të komunave me shumicë serbe


Arkiv - nga bisedimet Kosovë - Serbi
Arkiv - nga bisedimet Kosovë - Serbi

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Ljubomir Mariç, tha se qeveria e Kosovës ka themeluar ekipin menaxhues për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai i bëri këto komente në Bruksel, ku edhe bëri publik emrat e katër anëtarët të ekipit menaxhues për themelimin e këtij asociacioni. Ai tha se ekipi i emëruar javën e kaluar nga autoritetet e Prishtinës do të bashkërendohet prej tij dhe do të ketë për detyrë hartimin e Statutit dhe krijimin e Bashkësisë së komunave serbe.

"Këtë herë procesi fillon me mbështetjen e plotë të qeverisë në Prishtinë dhe të gjithë faktorëve relevantë politikë, që është shumë e rëndësishme për ne”, tha ministri Mariç duke nënvizuar se ekipi gjatë këtyre dy ditëve të fundit ka zhvilluar takime njohëse me zyrtarë të ndryshëm të institucioneve evropiane.

Por këto pohime janë hedhur poshtë nga ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.

Në një komunikatë për opinion thuhet se “Dezinformatat që kanë dalë nga Serbia, se gjoja është formuar grupi punues apo menaxhues për Asociacionin, dua të them se kjo është një gënjeshtër e radhës e Serbisë, sepse grupi menaxhues është krijuar në vitin 2013 sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe këtë grup e ka krijuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës”.

Më tej në komunikatë thuhet se “ky grup nuk është formuar nga Presidenti i Kosovës apo Kryeministri i Kosovës, dhe se ky grup menaxhues është manipuluar nga Qeveria e Serbisë, të cilët i kanë sjellë në Bruksel dhe kanë provuar që të organizojnë takime në Bashkimin Evropian”.

Zonja Tahiri ka thënë se formimi i asociacionit nuk është në agjendë, dhe nuk mund të zbatohet asnjë veprim pa u përmbushur nga Serbia të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani.

Më 25 gusht të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.

Qeveria thotë se asociacioni është në pajtim me ligjet e kushtetutën e Kosovës dhe propozimin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në bazë të të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës, ndërsa kanë mohuar çdo mundësi që ai të ketë përgjegjësi ekzekutive. Por, për opozitën asociacioni mund të çojë në ndarjen e brendshme të Kosovës. Që nga 22 shtatori i vitit të kaluar punët e parlamentit janë përshkuar nga gazi lotsjellës dhe skenat e dhunës për shkak të mospajtimeve lidhur me marrëveshjet me Serbinë sikurse edhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Marrëveshja ishte pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG