Lidhje

Dënohet dëmtimi i varrezave serbe në Kosovë

  • Leonat Shehu

Autoritetet thanë se po bëjnë përpjekje për të zbuluar autorët e akteve të dëmtimit të varrezave serbe në disa zona të vendit

Në Kosovë, policia tha se ka shtuar masat e sigurisë përreth monumenteve ortodokse serbe dhe është vënë në përpjekje për të ndriçuar autorët e mundshëm të dëmtimit të varrezave serbe në disa zona të Kosovës.

Dhjetëra varreza janë dëmtuar në Prizren dhe në komunën e Kllokotit në lindje të Kosovës, pak kohë pasi që autoritetet serbe larguan nga qendra e Preshevës një pllakë përkujtimore kushtuar të rënëve Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një veprim që nxiti reagime të ashpra edhe në Kosovë.

Në komunën e Kllokotit fshatarët serbë shprehen të zhgënjyer me dëmtimin e varrezave të të afërmeve të tyre.

Pse u kanë faj të vdekurit. Nuk munden me të gjallët dhe shfryhen me të vdekurit”, thotë një banor serb të cilit i është dëmtuar varri i të vëllait, duke shprehur zhgënjimin që asnjë rast nuk është ndriçuar.



Të gjitha institucionet shqiptare i kemi pranuar. Kemi dashur të jetojmë me ta të punojmë mirë me ta, por që të na e bëjnë këtë, nuk e di përse, nuk është mirë dhe nuk e dimë pse na e bëjnë këtë”, thotë një tjetër banor serb i komunës së Kllokotit e banuar me shumicë serbe.

Incidentet u dënuan gjerësisht nga institucionet vendase dhe nga prania ndërkombëtare në Kosovë.

Sot në një deklaratë të përbashkët ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara thanë se aktet e tilla janë plotësisht të papranueshme dhe kryesit e veprave duhet të sillen para drejtësisë. Ata u kanë shprehur mbështetje të plotë masave parandaluese të ndërmarra nga autoritetet e Kosovës.

Institucionet dhe partitë politike në Kosovë i dënuan incidentet duke i cilësuar ato të papranueshme, në kundërshtim me vlerat e shoqërisë në Kosovë dhe me traditën e tolerancës dhe të respektit ndërmjet njerëzve, besimeve dhe kulturave të ndryshme.

Dëmtimi i varrezave u dënua sot edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës. Në një deklaratë të kryetarit të saj, Myftiut Naim Tërnava thuhet mes tjerash se “dëmtimi i varrezave ortodokse, është veprim i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet fetare e kombëtare si dhe me traditën pozitive të besimeve tradicionale.
Nuk duhet bërë gara në të keqe, nuk duhet marr mësim nga regjimet e dhunshme, nuk duhet dhunuar të vdekurit, sepse kjo shpie në urrejtjeje, mosdurim, hasmëri e dhunë”.

Duke vlerësuar se sulmi mbi varrezat e kujtdo qofshin është veprim i papëlqyer tek Zoti, Muftiu Tërnava thekson se popujt e këtij nën qielli kanë nevojë për paqe, harmoni, tolerancë e mirëkuptim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG