Lidhje

Lista Serbe ngrin funksionet e saj në institucionet e Kosovës


Përfaqësuesit e Listës Serbe që janë pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovë, kanë bërë të ditur se kanë ngrirë pozitat e tyre në qeveri dhe parlament për shkak të miratimit të ligjit për kombinatin Trepça.

Ata reaguan me zemërim ndaj vendimit të parlamentit të Kosovës i cili pas mesnatës së të premtes miratoi me 79 vota për ligjin për kombinatin metalurgjik Trepça, me të cilin qeveria vë nën kontroll këtë kompleks.

Në një komunikatë të listës Serbe thuhet se “duke mos dashur ta bëjmë situatën edhe më të keqe se sa është, për momentin ne vetëm formalizojmë vendimin e të tjerëve në Prishtinë që e kanë marrë për ne. Ngrijmë pjesëmarrjen tonë në punën e Qeverisë së Kosovës, komisionet ndërministrore dhe organet e tjera qeveritare në të cilat prania jonë vetëm do të jetë formale dhe jo thelbësore, pa marrë parasysh pikëpamjet dhe mundësitë për të ndikuar vendimet”, thuhet në komunikatë duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të angazhohet për të adresuar siç thuhet situatën e re, pasi që sipas tyre qytetarët serb ende trajtohen si qytetarë të klasit të dytë.

Edhe deputetët serbë të Parlamentit të Kosovës kanë ngrirë pozitat e tyre, meqë sic thuhet “janë përballur me një nga situatat më të vështira dhe të rrezikshme në një dekadë e gjysmë dhe me vendimet që këto ditë janë sjellë do të varet jo vetëm fati i përfaqësuesve politikë të Listës Serbe, por edhe fati i popullit serb në këtë fushë”.

Përcaktimi i fatit të Trepçës me trashëgimi të rëndë edhe politike, që nga përfundimi i luftës ishte temë debatesh për shkak të pretendimeve të Beogradit për pronësi mbi të.

Autoritetet në Serbi thanë se ligji do të jetë i pavlefshëm për institucionet dhe qytetarët serb, ndërsa për të martën kanë paralajmëruar mbledhje të qeverisë së Serbisë pas miratimit të ligjit të ri për Trepçën.

Në Prishtinë autoritetet thonë se pronat e Kosovës i takojnë asaj dhe qytetarëve të saj, ndërsa Beogradi nuk ka çfarë të kërkojë në Trepçë e as në asnjë prej ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës.

Kompleksi Trepça që ndodhet në Mitrovicë është i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe. Dikur Trepça ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e tetëdhjeta, ku punonin mbi 20 mijë punëtorë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG