Lidhje

Kosovë: Shtatë të akuzuar për vepra që lidhen me terrorizmin


Autoritetet e drejtësisë thanë se ata akuzohen mes tjerash për nxitje, rekrutim dhe pjesëmarrje në luftërat në Lindjen e Mesme

Prokuroria e posaçme e Kosovës, bëri të ditur se është ngritur aktakuzë kundër shtatë personave nën dyshimin për kryerjen e disa veprave që ndërlidhen me terrorizmin.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se të pandehurit: Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi dhe Jetmir Kyqyku, u kanë bërë thirrje personave të tjerë për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste, të marrin pjesë në aktivitetet e grupit terrorist dhe të sigurojnë fonde dhe burime materiale. Në këtë mënyrë, thuhet në njoftim, ata kanë kryer veprën penale: “rekrutimi për terrorizëm”, e dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës.

Të pandehurit: Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Balazhi, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba, kanë marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, në atë mënyrë që paraprakisht janë pajtuar që të shkojnë në luftë në Siri dhe t’i bashkohen grupit të shqiptarëve që kanë luftuar në anën e organizatës terroriste “ISIS”.

Në njoftim thuhet se i pandehuri Zeqirja Qazimi, duke e keqpërdorur pozitën e tij si Imam në xhaminë “El-Kuddus” në Gjilan, publikisht ka nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike dhe grupeve tjera që jetojnë në Kosovë.

Njëri nga të pandehurit, Ilir Berisha, akuzohet dhe për armëmbajtje pa leje.

Ditë më parë ministri i brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni i tha Zërit të Amerikës se rreth 300 shtetas të Kosovës mund të kenë shkuar në luftërat e Irakut dhe të Sirisë, ndërsa autoritetet kanë arrestuar 150 luftëtarë, nxitës dhe rekrutues të ushtarëve për në luftërat e huaja.

Mbi 20 qytetarë të Kosovës besohet se kanë humbur jetën në luftërat në lindjen e mesme.

Më 23 janar, parlamenti i Kosovës me 74 vota për dhe 12 kundër, miratoi në parim projektligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit.

Projektligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

Krahas aspektit ligjor, autoritetet po u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin çdo përfshirje në luftërat ne lindjen e Mesme. Thirrjeve u është bashkuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës e cila pohon se luftërat në ato zona, nuk kanë të bëjnë asgjë me shqiptarët e as me besimin islam.

XS
SM
MD
LG