Lidhje

Kosovë: Shtyhet debati për ngritjen e Gjykatës së Posaçme


Të premten parlamenti i Kosovës duhej të debatonte ngritjen e kësaj gjykate që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë

Parlamenti i Kosovës, shtyu për kohë të pacaktuar debatin për miratimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Vendimi për shtyrje që u votua nga shumica e deputetëve pasoi propozimin e shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Adem Grabovci i cili tha se duhet kohë për përgatitjen e dokumenteve para se të debatohet në parlament.

Draft-ligji duhet të na vijë nga Brukseli. Ai duhet të përkthehet në të gjitha gjuhët dhe t'u shpërndahet deputetëve. Kështu që propozojmë që kjo seancë plenare të shtyhet derisa t'i kemi materialet e nevojshme për t'i analizuar”, tha ai.

Ndërkohë, Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare u hodhën në protestë kundër kësaj gjykate, kundër së cilës janë shprehur edhe partitë e opozitës që e shohin atë si të dëmshme për drejtësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Përfaqësues të opozitës thanë se arsyeja e vërtetë e shtyrjes ishte mungesa e votave të mjaftueshme të partive në pushtet, meqë edhe një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike ishin shprehur kundër gjykatës.

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për Gjykatën kërkon dy të tretat e votave të deputetëve si dhe mbështetjen e dy të tretave të votave të komuniteteve pakicë.

Të enjten presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha nëpërmjet një komunikate se ka takuar kryeministrin Isa Mustafa dhe Zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi me të cilët “diskutoi rreth hapave për votimin e amendamenteve kushtetuese për Gjykatën e Posacme. Por, pak orë më pas, nga zyra e zëvendëskryeministrit Thaçi u tha se deklarata e lëshuar nga zyra e presidentes se në takimin e mbajtur në mbrëmjen e së enjtes është diskutuar për Gjykatën Speciale, nuk qëndron.

Drejtues të institucioneve dhe diplomatë perëndimorë thonë se dështimi i mundshëm i parlamentit mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Shtyrja e sotme pasoi dënimin e 11 pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për krime luftë dy ditë më parë në një proces që nxiti shumë reagime. Protestuesit thanë të premten se proceset e deritashme gjyqësore ndaj pjesëtarëve të kësaj ushtrie janë udhëhequr nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe përvojat flasin që nuk mund të pritet drejtësi nga një gjykatë e posaçme.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për miratoi themelimin e gjykatës së posaçme, e cila do të vendoset në Holandë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje për këtë çështje dhe ajo do të drejtohet nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

XS
SM
MD
LG