Lidhje

Studentët kërkojnë dorëheqjen e rektorit të universitetit të Prishtinës


Grupe studentësh të Universitetit publik të Prishtinës po protestojnë që nga java e kaluar, duke kërkuar dorëheqjen e rektorit të këtij universiteti, Ibrahim Gashi

Qindra studentë dhe pjesëtarë të organizatave joqeveritare, parakaluan sot në Prishtinë dhe mbajtën për disa orë të bllokuar hyrjen e rektoratit të Universitetit Publik të Prishtinës, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të rektorit të këtij Universiteti, Ibrahim Gashi.

Që nga java e kaluar grupe studentësh kanë kërkuar hetimin e siç thuhet keqpërdorimeve në këtë universitet, vërtetimin e gradave shkencore të mësimdhënësve dhe largimin e ndikimeve politike në këtë institucion.

Protestat e organizuar nga Lëvizja Studentore për barazi, studim kritikë, veprim, dhe disa organizata tjera studentore pasuan një periudhë debatesh mbi zhvillimet në Universitetin e Prishtinës, që është institucioni më i madh e më i vjetër i arsimit të lartë në Kosovë.

Në dhjetor të vitit 2013, njëmbëdhjetë persona u arrestuan nën dyshimet për falsifikim dhe mitmarrje në Universitetin e Prishtinës. Ditëve të fundit janë shtuar debatet rreth punimeve shkencore të një numri mësimdhënësish të graduar në këtë Universitet përfshirë edhe rektorin e tij. Reagimet pasuan raportimet në mediet lokale se një pjesë e punimeve shkencore që rektorit Gashi i janë njohur si mbështetje për gradimin e tij akademik, janë të botuara në një revistë të falsifikuar në Indi.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës kërkoi javën që lamë pas që punimet e diskutueshme shkencore të tërhiqen dhe paralajmëroi se është duke punuar për normalizimin e situatës në Universitet. Madje ai caktoi një afat prej 45 ditësh për sqarimin e të gjitha çështjeve të hapura në Universitet dhe përcaktimin e përgjegjësisë për të gjitha shkeljet e pretenduara.

Deri tash rektori Gashi nuk ka shfaqur gatishmëri që të jap dorëheqje, ndërsa është shprehur i gatshëm siç thuhet të marrë mbi vete çdo përgjegjësi pasi që organet drejtuese të Universitetit të kenë sqaruar situatën aktuale.

Të enjten Parlamenti i Kosovës, pritet të debatojë situatën aktuale në Universitetin e Prishtinës.
XS
SM
MD
LG