Lidhje

Takim ndërkombëtar i grave në Prishtinë


Qindra gra nga vende të ndryshme të botës po marrin pjesë në një takim treditësh me temën “Partneriteti për ndryshim - fuqizimi i gruas”

Përfaqësuese vendase e ndërkombëtare, thanë në Prishtinë se pa përfshirjen e plotë të grave, demokracia në asnjë vend nuk është e mundur.

Këto komente u bënë gjatë punimeve të takimit ndërkombëtarë të grave me temën “Partneriteti për Ndryshim - Fuqizimi i Gruas”, i organizuar nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Në takim po marrin pjesë rreth 200 gra, në mesin e të cilave edhe ish sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright.

Në hapje të takimit, presidentja Jahjaga tha se gratë kanë nevojë të jenë më të zëshme në përfaqësimin politik, por të kenë edhe një rol më të madh në vendimmarrje dhe në vendosjen e themeleve të demokracisë.



Sikurse disa prej jush tashmë e keni cekur, ne nuk do të kemi demokraci të plotë përderisa gratë të mos jenë pjesëmarrëse të barabarta. Ne nuk mund të flasim për qëndrueshmëri dhe prosperitet nëse gjysma e popullsisë vazhdimisht është e dekurajuar-me mungesë të mundësive për arsimim dhe diskriminim në paga”.

Ajo tha se, gra si sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton dhe ish sekretarja Madeleine Albright, kanë shfrytëzuar fuqitë e tyre për t’i ndihmuar vendet në nevojë, përfshirë edhe Kosovën dhe për këtë arsye edhe gëzojnë respektin e popullit dhe institucioneve të Kosovës.

Të enjten sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ju drejtua takimit nëpërmjet një video lidhjeje, gjatë së cilës rikonfirmoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e Kosovës në të gjitha fushat.

Që nga pavarësia ju keni punuar fuqishëm në ndërtimin e një shteti modern, shumetnik dhe demokratik. Shtetet e Bashkuara do të mbesin një partner dhe mik i fuqishëm kur tani keni para vetes shumë sfida”, tha sekretarja Clinton, duke vënë theksin tek rëndësia e fuqizimit të rolit të gruas edhe në shoqërinë e Kosovës. Gratë, tha ajo, janë bartëse të paqes.

Ndërsa ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, nënvizoi nevojën për të hequr pengesat për pjesëmarrjen e gruas në politikë, ekonomi dhe për trajtimin e barabartë të grave.
Demokracia në çdo vend është e vështirë, por pa gra demokracia në asnjë vend nuk është e mundur”, tha zonja Albright, pjesëmarrja e së cilës në takim është vlerësuar lartë në Kosovë ku ajo shihet si njëra nga personalitetet kryesore që nxitën proceset që çuan në çlirimin e Kosovës.

Gjatë debateve të sotme ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson, tha se barazia gjinore është e domosdoshme dhe se asnjë vend nuk mund të përparojë pa përmbushur këtë kriter, që arrihet përmes fuqizimit të rolit të gruas.

Kosova ka ligje të fuqishme që të nxisë barazinë gjinore dhe fuqizimin e gruas dhe në këtë fushë është para shumë shteteve tjera”, tha ajo duke nënvizuar se përfaqësimi politik përmes gruas është treguar si shumë i frytshëm dhe në dobi të shoqërisë.

Ajo tha se Qeveria amerikane është partnere e Kosovës në nxitjen e rritjes ekonomike, sundimin e ligjit, ndërtimin e institucioneve demokratike dhe integrimet euroatlantike të saj.

Gjatë punimeve të takimit që vazhdon edhe nesër u tha se politikat që trajtojnë pozitën e gruas janë sprovë e seriozitetit dhe parametër matës për orientimin drejt së ardhmes së një vendi.
XS
SM
MD
LG