Lidhje

GDN i dha fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës


Grupi Drejtues Nderkombëtar për Kosovën

Grupi Drejtues Nderkombëtar për Kosovën

Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar pas takimit të këtij grupi në Prishtinë, thuhet se “pas vlerësimit të tij më datën 2 korrik 2012 se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës është zbatuar në mënyrë thelbësore dhe duke vënë re se në përputhshmëri me zotimet e tyre, institucionet e Kosovës tani i kanë miratuar pakot e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të legjislacionit primar duke i përfshirë në mënyrë të kënaqshme elementet e mbetura të planit brenda kornizës kushtetuese dhe juridike të Kosovës, Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpall sot përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe përfundimin e mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar.

Pas përfundimit të detyrave të nevojshme administrative të brendshme, Zyra Civile Ndërkombëtare do të mbyllet në fund të vitit 2012. Me efekt të menjëhershëm, Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit, nuk ekziston më si fuqia juridike e veçantë dhe më e lartë, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës tani përbën bazën e vetme të kornizës juridike të vendit”, thuhet në komunikatë.

Të premten Parlamenti i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese që mundësojnë përfundimin formal të mbikëqyrjes dhe mbylljes së zyrës civile ndërkombëtare, e cila ka mbikëqyrur deri tash zbatimin e planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në bazë të të cilit u shpall pavarësia e Kosovës.

Përfundimi i këtij procesi që po vlerësohet me rëndësi historike nga institucionet e Kosovës, nuk shihet njësoj nga lëvizja Vetëvendosje, e cila vlerëson se “plani i zotit Ahtisaari jo vetëm që nuk e ka normuar dhe nuk e përmban pavarësinë e plotë, por ai edhe e ka vonuar pavarësimin e vërtetë dhe se populli i Kosovës nuk ka të drejtë për vetëvendosje dhe shteti i Kosovës nuk ka sovranitet”.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, ndërsa zyra civile ndërkombëtare morri përsipër mbikëqyrjen e zbatimit të saj. Pak ditë me vonë, një grup vendesh që njohën pavarësinë e saj themeluan Grupin Drejtues që sot i dha fund mbikëqyrjes.

Plani i zotit Ahtisaari nuk është zbatuar në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e shtetit të Kosovës, i cili vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, u tha sot mjeteve serbe të informimit se Serbia nuk pranon asnjë pavarësi, as atë të mbikëqyrur, e as atë pa mbikëqyrje.
"Për ne çështja e Kosovës nuk është zgjidhur derisa me të nuk pajtohet Serbia. Po të mos ishte kështu, nuk do të na bënin aq shumë trysni që ta njohim Kosovën”, deklaroi në Beograd kryeministri serb.

Ai hodhi poshtë pohimet se njohja e pavarësisë së Kosovës është kusht për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Sipas tij kusht është shtendosja e marrëdhënieve dhe zgjidhja e problemeve që pamundësojnë jetën normale të qytetarëve në Kosovë.

Plani i zotit Ahtisaari parashihte krijimin e një komune të re në veriun e Mitrovicës, që nuk u zbatua deri tash. Situata në atë zonë ka bërë që të shtohen zërat për mundësinë që çështja të jetë temë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat pritet të rifillojnë në vjeshtën e këtij viti dhe atë në nivel më të lartë politikë.

Prishtina zyrtare ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar me Beogradin për të gjitha çështjet e hapura, po jo edhe për rregullimin e brendshëm juridik. Kjo gatishmëri është kundërshtuar nga një pjesë e opozitës e cila kundërshton bisedimet politike me Beogradin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG