Lidhje

Kosova një ditë pas mbikëqyrjes së pavarësisë

  • Leonat Shehu

Përfaqësues vendas e ndërkombëtarë debatuan sot për Kosovën pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë.

Përfaqësues të shumtë ndërkombëtarë dhe të institucioneve të Kosovës, thanë se dita e sotme shënon fillimin e një epoke të re për shtetin më të ti të Evropës, pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë. Në konferencën me temën “Kaptinë e mbyllur në Ballkan”, u tha se Kosova tash duhet të dëshmojë veten si një shtet i pavarur.

Autori i planit në bazë të të cilit u shpall pavarësia e Kosovës, Martti Ahtisaari, tha se ky është kapitulli në të cilin Kosova e luan rolin e vet konstruktiv në rajon në lidhje të mira me Bashkimin Evropian. Ai i bëri thirrje këtij të fundit që të respektojë realitetin e pandryshueshëm të pozicionit të Kosovës.



Bashkimi Evropian duhet të gjejë një mënyrë për të pranuar këta dy milionë njerëz, të cilët banojnë shumë afër. Disa mendojnë se kjo është një problem për Bashkimin Evropian, por unë konsideroj se këtë duhet ta shohim më shumë si një mundësi”, tha zoti Ahtisaari.

Konferencës nëpërmjet një porosie ju drejtua edhe ish presidenti amerikan Bill Clinton, i cili shfaqi shpresën se para Kosovës ndodhen ditët më të shkëlqyera.

Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë është një hap thelbësorë dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të gjetur rolin tuaj në rajon, në Evropë dhe në botë”, tha presidenti, Clinton duke nënvizuar si tha mirënjohjen për rolin që ka luajtur në përfundimin e konfliktit në Kosovë dhe që ajo të ndodhet sot aty ku është.

Ndërsa shefi i deritashëm i zyrës civile ndërkombëtare, mandati i së cilës përfundoi dje, Pieter Faith, tha se duke qenë vet dëshmitar i përmbylljes së një kapitulli të fundit për Ballkanin, ai është i kënaqur që Kosova po hap një kapitull të ri.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës, Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, thanë se nga sot vendi po hap nja faqe të re të historisë së tij.

Kosova është një dhe e pandashme! Kosova është vend i mundësive të barabarta për të gjithë. Kosova është atdhe i të gjithëve, një vend me institucione të një shteti modern, gjithëpërfshirës dhe demokratik. Ne qytetarët e Kosovës jemi të barabartë kudo, në cilëndo pjesë të shtetit tonë të përbashkët, pa dallim dhe pa urrejtje. Diversitetin etnik, fetar e kulturor e kemi vlerë të vendit tonë. E sotmja na e hap rrugën e së ardhmes dhe atë do ta kalojmë së bashku”, tha presidentja Jahjaga.

Sot është dita e parë e këtij fillimi historik për ne. Nga sot e tutje, sfida të shumta dhe të reja do të qëndrojnë para shtetit të ri të Kosovës, mirëpo janë këto sfida të zakonshme të shteteve të pavarura dhe shoqërive të përgjegjshme. Janë sfida të kuptueshme, të pranueshme dhe të tejkalueshme”, tha kryeministri Thaçi.

Duke ju bashkuar përgëzimeve për përfundimin e mbikëqyrjes, shefi i diplomacisë shqiptare, Edmon Panariti, tha se kjo është një ngjarje me peshë për gjithë kombin shqiptar.

Dhënia fund e pavarësisë së mbikëqyrur ka një domethënie të veçantë pasi ajo koincidon me një ngjarje të shënuar, 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe gjithë kombit shqiptar, ku padyshim figura të ndritura të Kosovës kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar”, tha ministri Panariti.

Kryeministri Thaçi, tha se Kosova nga sot është e barabartë me të gjithë dhe si e tillë, duhet të vazhdojë procese të rëndësishme, për normalizimin e jetës në Ballkan. Dialogu dhe mirëkuptimi duhet të vazhdohen, zgjidhjet duhet të arrihen dhe popujt duhet të pajtohen, tha ai, duke nënvizuar se asnjë vend nuk mund të ketë zhvillim ekonomik e shoqëror nëse ai është i rrethuar me varfëri, skamje e armiqësi.

Nuk mund të ketë bashkëpunim, nëse jeni i vetmuar në këtë. Krenaritë kombëtare të shoqërive ballkanike mund të jenë të mëdha, por shtetet e tyre janë të vogla dhe të lëndueshme. Ato nuk kanë gjasa të mbijetojnë të vetmuara, por vetëm të integruara. Mirëpo po ashtu nuk mund të bashkëpunojnë e të bashkëjetojnë nëse nuk trajtohen të barabarta”.

Ai tha se fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë, nuk ndryshon të vërtetën e madhe, se të gjithë jetojnë në një botë të ndërvarur dhe se kufijtë bëhen të brishtë dhe popujt brenda tyre të lëndueshëm sa herë përballen me fatkeqësi.

Pikërisht, 11 vjet më herët, po në këtë ditë, vrasja e mijëra njerëzve të pafajshëm në aksionet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kundër civilizimit, e përkujtoj rruzullin tonë për relativitetin e kufijve dhe lëndueshmërinë e popujve. Ndoshta kurrë më shumë se pas sulmeve të 11 shtatorit nuk e kuptuam qartësisht se në një botë të përbashkët edhe rreziqet janë të përbashkëta. Se për një botë të globalizuar duhet të ekzistoj përgjegjësi globale dhe vlera të përbashkëta për të gjithë”, tha kryeministri Thaçi.

Kosova edhe sot në forma të ndryshme përkujton sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 duke u solidarizuar me Shtetet e Bashkuara, roli i të cilave edhe sot u vlerësua i pazëvendësueshëm për proceset politike në Kosovë.
XS
SM
MD
LG