Lidhje

Tetëvjeçari nga Kosova kthehet nga Siria pas disa muajsh


Erion Zena, tetë vjeç është kthyer të mërkurën në shtëpi pas disa muajsh qëndrimi në Siri me të atin që u është bashkuar militantëve në Lindjen e Mesme

Të mërkurën në mbrëmje, fëmija tetëvjeçar nga Prishtina, Erion Zena, është kthyer në shtëpi në një operacion të Agjencisë së Zbulimit të Kosovës.

Më herët, e ëma e Erionit, Pranvera Abazi, kishte dhënë alarmin se babai i fëmijës, Arben Zena, e kishte marrë me vete Erionin në Siri ku ai u ishte bashkuar militantëve islamik.

Nuk janë dhënë hollësi rreth operacionit i cili është mbështetur edhe nga Agjencia Turke e Zbulimit, por presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përshëndeti nëpërmjet një komunikate “operacionin e suksesshëm të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për ta kthyer në Kosovë, pranë nënës së tij, të miturin Erion Zena”.

Në njoftim thuhet se presidentja Jahjaga, në bashkërendim me kryeministrin e Kosovës, e kishin autorizuar “operacionin e agjencisë së zbulimit për të gjetur dhe sjellë në Kosovë 8 vjeçarin Zena, i cili para 5 muajsh pa lejen e nënës ishte marrë nga babai i tij drejt Sirisë, për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste që po luftojnë në territorin e Sirisë dhe Irakut”.

Ajo vlerësoi lartë punën e kësaj agjencie, ndërsa thekson se “qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj janë të përkushtuara të ndërtojnë një Kosovë tolerante dhe demokratike dhe nuk do të lejojnë që vendi ynë të shndërrohet në strehë të grupeve dhe individëve të caktuar që janë rreshtuar përkrahë grupeve ekstremiste dhe terroriste”.

Presidentja Jahjaga u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës “që të mos ju bashkohen kauzave të huaja, por të kontribuojnë në përparimin dhe zhvillimin e vendit të tyre të cilin e ndërtuam me shumë mund”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, përgëzon institucionet përgjegjëse të sigurisë, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës “që të mos mashtrohen në asnjë mënyrë nga çfarëdo forme e indoktrinimit për t’iu bashkangjitur konflikteve apo luftërave jashtë Kosovës”.

Shërbimet e zbulimit besojnë se janë disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash mbi 20 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.

XS
SM
MD
LG